E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman: Opozita të futet në Kuvend

Kryediplomati gjerman në Tiranë, Bernd Borschardt, i bën thirrje opozitës të kthehet në sallën e Kuvendit. "Bashkimi Europian tashmë ka dhënë një deklaratë mjaft të qartë në lidhje me këtë dhe rekomandimi im është që të shikojmë drejt së ardhmes", deklaroi dje Borschardt. Sipas tij rekomandimet e bëra nga raporti i OSBE/ODIHR-it duhet të merren parasysh dhe të zbatohen. "Sigurisht që për një gjë të tillë janë të nevojshme vendimet që merren në Parlament dhe një pjesë e tyre kërkojnë një shumicë të cilësuar votash", tha ai. Diplomati gjerman, teksa iu referua reformës në sistemin e drejtësisë, tha se kjo situatë do ta vështirësonte, pasi kërkohet një shumicë e cilësuar. I pyetur për paketën e kushteve të vendosura nga opozita për rikthimin në Kuvend, ai tha se "unë nuk jam ekspert i Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës së Shqipërisë, ndaj nuk jap dot një vlerësim për këtë". Megjithatë, vijoi ambasadori, ka kërkesa të opozitës që mund të viheshin në jetë, për shembull kërkesat për ndryshimin e anëtarëve të KKRT-së dhe bordit drejtues të TVSH-së. Dy ditë më parë, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, pas takimit me zëvendëskryeministrin Ilir Meta tha se "opozita është realisht e nevojshme dhe sigurisht kjo bëhet vetëm në Parlament. Kështu ne mirëpresim bashkëpunimin dhe ne shpresojmë dhe besojmë se do të jetë po aq i mirë sa edhe me paraardhësin e z. Meta. Ne shpresojmë se ju do t‘i afroheni Europës sa më shpejt të jetë e mundur. Ambasadori iu përgjigj edhe interesimit të medias për faktin se opozita kërkon rinumërimin e votave në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe nëse kjo është një kërkesë ligjore nga ana e saj. "Së pari nuk jam këtu si jurist ose si përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese, por me sa e gjykoj unë, të gjitha mjetet ligjore janë përdorur dhe rezultatet e 1 gushtit janë në rregull", tha Bosch. Në të njëjtën ditë me Bosch reagoi edhe kreu i Prezencës së Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Përfaqësuesi zyrtar i Brukselit në vendin tonë nuk e ka ndryshuar qëndrimin, duke treguar qartë se politika e vërtetë bëhet brenda institucioneve. Ai nuk e mbështeti vendimin e opozitës për të qëndruar jashtë dyerve të Parlamentit dhe nuk pranoi të komentojë nëse duhen pranuar kërkesat e saj që më pas opozita të bëhet pjesë e legjislativit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›