Miratimi i projektligjit për hetimin e zgjedhjeve, opsioni për zgjidhjen e krizës
Projektligji me 20 mijë firma zgjedhësish, i iniciuar nga Partia Socialiste për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit, mund të jetë opsioni i duhur për zgjidhjen e krizës politike aktuale. Miratimi i këtij projektligji me votat e maxhorancës jo vetëm që do të ulte tensionet politike mes palëve, por edhe do të mundësonte rikthimin e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvend. Ky projektligj synon hetimin parlamentar të zgjedhjeve, krijimin e një komisioni të posaçëm me shumicë nga opozita, si dhe hapjen e kutive të votimit. Socialistët shprehen të gatshëm që të hyjnë në Kuvend në rast të miratimit të projektligjit të propozuar nga 20 mijë zgjedhës. Ata do të hyjnë në Kuvend vetëm në rast të miratimit. Duket qartë që në fakt ekziston një klimë mosbesimi, pasi deputetët socialistë i druhen faktit të mosmiratimit të projektligjit nëse më parë hyjnë në Kuvend. Megjithatë, për ta paraqitur projektligjin në Kuvend, duket se është gjetur edhe zgjidhja. Kjo duket se do të bëhet nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili është i vetmi deputet i opozitës që nuk ka bojkotuar Kuvendin.
Depozitimi
Në mbledhjen që zhvilloi Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste gjatë protestës 3-ditore u diskutua rreth projektligjit me firmat e 20 mijë qytetarëve që kërkojnë hetimin e zgjedhjeve. Deputetët socialistë kanë vendosur që të dorëzojnë sa më parë në Kuvend projektligjin në fjalë, së bashku me firmat e qytetarëve. Depozitimi i këtij projektligji do të hedhw poshtë justifikimet e kryeministrit Berisha, i cili deklaroi se hapja e kutive nuk mund të bëhet për shkak se nuk e lejon ligji. Megjithëse nuk jepet një numër konkret, mësohet se numri i firmëtarëve të këtij projektligji e ka kaluar shifrën 20 mijë. Partia Socialiste ka shfrytëzuar më së miri përmbajtjen e Kushtetutës dhe konkretisht Nenin 81 të saj, i cili thotë: “Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës”. Pikërisht për këtë arsye, selia rozë ka nisur aksionin politik ku ka ftuar qytetarët që të firmosin projektligjin që kërkon hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e pakufishëm të çdo pretendimi vendas apo të huaj, për parregullsitë dhe manipulimet e ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit.
Projektligji
Projektligji me firmat e 20 mijë zgjedhësve ka për qëllim hetimin e të gjitha institucioneve, të cilat cenuan integritetin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Projektligji synon hetimin e të gjithë titullarëve të administratës, të cilët kanë ushtruar presion apo kanë larguar punonjësit për shkak të bindjeve politike gjatë fushatës. Një tjetër objekt ka të bëjë me hetimin e pretendimeve dhe akuzave për proces të parregullt votimi në disa qendra konkrete votimi, pjesë të disa zonave të administrimit zgjedhor. Nisma e opozitës, që pritet të paraqitet në Kuvend, synon edhe hetimin e akuzave dhe pretendimeve publike të ngritura nga partitë politike dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit të votave dhe vlerësimin e tyre. Kjo kërkesë detajohet me një numër të caktuar të vendeve të numërimit të votave që përkojnë me ato çka janë konstatuar në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Një tjetër objekt hetimi janë akuzat publike për përdorim të aseteve dhe administratës publike qendrore dhe lokale në favor të fushatës së forcave të caktuara politike. PS-ja kërkon të hetojë edhe rastet e dhënies së lejeve të përkohshme për persona që janë të dënuar apo vuajnë masën e sigurisë arrest me burg. Objekt hetimor mësohet se do të jetë edhe hetimi i administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me dështimin dhe mangësitë në përdorimin e teknologjisë së monitorimit të procesit të numërimit të votave. Drafti i PS-sw thotë se hetimi i shkeljeve, objekt i këtij ligji, është i pakufizuar në natyrën e materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet e ngarkuara në këtë ligj.
28 Nentor 2009