E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi i ISN-së: Shqiptarët duan integrimin në BE për shkak të liberalizimit të vizave



Instituti i Studimeve Ndërkombëtare organizoi konferencën kombëtare me titull “Shqipëria dhe BE-ja: roli i aktorëve vendorë”, ku u paraqit studimi me të njëjtin titull. Qëllim i këtij studimi të përvitshëm është matja e përfytyrimeve të publikut mbi Bashkimin Europian dhe procesin e integrimit. Të ftuar në aktivitet ishin edhe përfaqësues të institucioneve politike shqiptare, organizatave joqeveritare, medias e Trupit Diplomatik dhe të komunitetit ndërkombëtar në vendin tonë, si për shembull ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobbio, i cili ka mbështetur realizimin e këtij studimi, Thomas von Handel, kreu i sektorit politik, ekonomik dhe informativ të Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Aldo Bumçi, zv. kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian dhe Elda Kalaja, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Integrimit Europian. Në studimin e Institutit për Studime Ndërkombëtare theksohet se fakti që më shumë se 96% e shqiptarëve duan integrimin në Bashkimin Europian, është i lidhur me dëshirën e tyre për të lëvizur pa viza. “Mbështetja e shqiptarëve ndaj integrimit ka qenë gjithnjë rreth 90 për qind, në mos shumë më e lartë. Arsyeja kryesore e kësaj dashurie, të paktën për gjysmën e popullsisë, ka qenë dhe vazhdon të jetë premtimi për lëvizje të lirë në vendet anëtare të BE-së. Prandaj është e qartë se lidhja mes lëvizjes së lirë dhe anëtarësimit në BE ka bërë të mundur legjitimimin dhe mbështetjen nga opinioni publik për reformat që kanë për objektiv të përgatisin vendin për integrim. Megjithatë, nëse mbas tetëmbëdhjetë muajsh Shqipëria i bashkohet Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë në Listën e Bardhë të Shengenit, mund të pritet që mbështetja popullore në Shqipëri nuk do të mbetet më mbarëpopullore dhe unike, por do të bjerë në nivele kritike, ndoshta edhe më poshtë se 50%”, - thuhet në studimin e ISN-së.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›