Nis takimi i parë mes tre kryeministrave të rajonit, Papandreu-Berisha-Gruevski
Është zhvilluar gjatë pasdites së djeshme takimi i parë mes tre kryeministrave të rajonit të Ballkanit. Takimi i iniciuar nga kryeministri grek, Papandreu, përfshin takimin e të tre homologëve; kryeministrit shqiptar Berisha dhe atij maqedonas, Gruevski.
Gjatë takimit me Papandreun, Berisha ka marrë mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa i ka kërkuar kryeministrit grek që qeveria e tij të njohë patentat shqiptare për emigrantët. Papandreu siguroi se do të bëhet çdo përpjekje në këtë drejtim. Të dy kryeministrat ranë dakord për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fusha të tilla si në ekonomi, bujqësi dhe turizmi. Ndërkohë, me Berishën, pritet që Papandreu të hapë çështjen e shumëdebatuar të kufirit detar, edhe pse kjo nuk është e konfirmuar në axhendë. Takimi mes tre kryeministrave, që po zhvillohet në Prespë, ka përfshirë të përcaktuar në axhendë diskutimin për çështjet ndërkufitare, si dhe për efektet e ngrohjes globale në territorin që ndajnë tri vendet, kryesisht për mbrojtjen e liqenit të Prespës. Por, burimet greke dhe maqedonase thonë se edhe tema të tjera bisedimesh do të jenë në tryezë. Kështu, mediat maqedonase thonë se takimi që nisi dje dhe pritet të zgjasë tri ditë, do të jetë një dritë shprese për çështjen e emrit të Maqedonisë. Shkupi shpreson që Greqia të mos verë veton në hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në takimin e Brukselit në dhjetor. Por ka pak gjasa të ketë përparim për çështjen e emrit. Takimi mes tre liderëve ndodh pak ditë pasi BE-ja bëri thirrje që shtetet e Ballkanit Perëndimor të forcojnë bashkëpunimin mes tyre si hap për t’u integruar më mirë në BE.
28 Nentor 2009