Ambasadori gjerman:”Investime në prodhimin e medikamenteve mjekësore”
Gjermania mund të jetë një nga investitorët kryesor në investimet për prodhimin e medikamenteve mjekësore në vendin tonë. Gjithçka është bërë e ditur gjatë një takimi të Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili ka zhvilluar një takim me Ambasadorin Gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt dhe Zëvendësambasadorin, Jan Rudolph. Vasili u shpreh se bashkëpunimi i deritanishëm me Gjermaninë ka qenë mjaft i rëndësishëm ndërsa ka veçuar ndihmën e KFË (Institutit të Kredive për Rindërtim)në mjaft projekte të rëndësishme që prej vitit 1997. Ambasadori gjerman Borchardt e ka informuar ministrin Vasili mbi projektin “Mbrojtja e Shëndetit nga ndryshimet Klimatike”, një financim i qeverisë gjermane në shifrën e 1 milion euro. Njëkohësisht Borchardt ka vënë në dukje interesin e mjaft kompanive private gjermane për të investuar në fushën e prodhimit të medikamenteve mjekësore në vendin tonë, por edhe në mjaft fusha të tjera të shëndetësisë. Mes palëve u ra dakord për fillimin e një projekti për binjakëzimin e QSUT-së me klinikën e Mynihut Grosshadern. Një marrëveshje e tillë mes ministrisë sonë të shëndetësisë dhe asaj gjermane do të shërbejë edhe për trajnimin e personelit spitalor në vendin tonë, si dhe në realizimin e reformës në shëndetësinë shqiptare.
Ivanaj: ”Vaksina kundër A/H1N1 do të vijë në fund të nëntorit”
Vaksina kundër virusit të gripit të derrit do të vijë në Shqipëri në fund të nëntorit. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj theksoi se nga bisedimet e kryera me autoritetet shëndetësore të huaja është rënë dakord që vaksina kundër gripit të derrit do të mbërrijë në vend në fund të muajit nëntor. Por dozat nuk do të shërbejnë për të vaksinuar të gjithë qytetarët. Ndërkohë që do të operohet siç është rënë dakord nga specialistët, që të parët që do të marrin vaksinën do të jenë kategoritë më emergjente si dhe ato që kanë kontakte të drejtpërdrejta me të infektuarit. Aktualisht në vendin tonë janë marrë rreth 800 mostra të personave të dyshuar si mbartës të virusit pandemik. Një pjesë e madhe e dozave janë dërguar në Bukuresht, ku pritet të kthehen përgjigjet. Virusi pandemik nuk ka kursyer edhe fëmijët si dhe personat mbi 65 vjeç, ku janë shtuar dyshimet së tepërmi. Tashmë është momenti kur qytetarët janë më të rrezikuar se më parë nga preja me virusin AH1N1, pasi ndryshimet e temperaturave sjellin edhe virozat gripale normale, të cilat mund të alternohen me virusin e gripit të derrit. Prandaj, Ivanaj deklaroi që qytetarët duhet të kryejnë vaksinën kundër gripit të zakonshëm për të mos pasur komplikacione apo anashkalime të gripit pandemik.
3 Tetor 2009