Ish-të përndjekurit shkresë për procedurat e dëmshpërblimit
Laureta Rryçi
Ish-të përndjekurit politik kanë vendosur të ankohen në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Drejtësisë mbi procedurat e dëmshpërblimit. Sorollatjet e tyre nëpër dikasteret shtetërore për ta duket se janë bërë të padurueshme dhe për këtë ata janë drejtuar me një shkresë zyrtare dy ministrave Ridvan Bode dhe Bujar Nishani. Burime pranë shoqatës së të përndjekurve shpjeguan dje për gazetën “Albania” se shkak është bërë mungesa e emrave të të burgosurve për të tërhequr paratë pavarësisht se ata kanë marrë miratimin nga qeveria se u takon kësti i parë i dëmshpërblimit. “Dhjetëra ish-të përndjekur nga qytete të ndryshme të vendit detyrohen të sorollaten nëpër dy ministritë për shkak se iu është dërguar emri në bankat e qytetit ku jetojnë për të tërhequr paratë”, mësohet se është shkruar në shkresën zyrtare.
Ankesa
Pavarësisht se i janë gëzuar faktit se emri i tyre ishte një ndër emrat e miratuar nga Këshilli i Ministrave sërish shumë ish-të përndjekur nuk kanë mundur të marrin këstin e parë të dëmshpërblimit. Edhe pse banorë të qyteteve të largëta atyre u është dashur të vijnë në Tiranë për t’u interesuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave se ku qëndronte problemi. Në këtë fazë duket se Ministria e Drejtësisë i ka larë hesapet më ta për shkak se mban përgjegjësi vetëm shqyrtimin e kërkesës nëse i takon ose jo dëmshpërblimi. Për momentin barra e përgjegjësisë i ka mbetur Ministrisë së Financave e cila ka në varësi Drejtorinë e Thesarit. Këtij institucioni i është besuar shpërndarja e parave. Ish-të përndjekurit në ankesën e tyre mësohet se i kërkojnë ministrit Bode edhe ristrukturimin e Drejtorisë së Thesarit pasi janë tepër të pakënaqur më punën e stafit aktual. Të përndjekurit pavarësish se kanë hapur llogaritë bankare sërish në këto llogari nuk është hedhur asnjë lekë. Kur janë interesuar në Drejtorinë në Tiranë kanë mësuar se ka pasur probleme lista e miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Thesari
Që lindën shumë probleme gjatë shpërndarjes së dëmshpërblimit ky fakt është pranuar disa muaj më parë edhe nga Drejtoria e Thesarit. Për këtë drejtuesit e kësaj drejtorie vendosën vendosën t’i bëjnë publike procedurat për të tërhequr paratë. Sipas tyre
dëmshpërblimi financiar i depozituar në llogaritë bankare tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Kur ish-i dënuari politik ka vdekur apo vdes para ditës së tërheqjes së kësteve të dëmshpërblimit, shumën e parave e përfitojnë, në pjesë të barabarta takuese, vetëm familjarët e tij, të përcaktuar në Nenin 8 këtij ligji. Kur asnjëri prej tyre nuk është gjallë, dëmshpërblimi shuhet dhe fondet i kthehen Buxhetit të Shtetit. Banka e nivelit të dytë lejon tërheqjen e të gjithë depozitës nga përfituesit e përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, vetëm pasi ata/ai depozitojnë /depoziton personalisht certifikatën e vdekjes së ish-të dënuarit politik, dëshminë e trashëgimisë së tij dhe dokumentin që vërteton se të paktën njëri prej tyre është gjallë. Banka e nivelit të dytë, në dokumentin përkatës, shënon të dhënat e personit/personave që tërheq/tërheqin dëmshpërblimin, për llogari të vet dhe të të gjithë përfituesve. Një kopje e këtij dokumenti dhe e dokumentit që provon tërheqjen e llogarisë bankare i bashkëlidhen dosjes individuale në Ministrinë e Financave. Asnjë veprim bankar nuk mund të kryhet në kundërshtim me paragrafët e mësipërm të këtij neni, edhe nëse ai mund të autorizohet me prokurë. Ministria e Financave mbikëqyr mënyrën e respektimit të këtij detyrimi ligjor dhe, kur vëren shkelje, e gjobit bankën e nivelit të dytë me gjobë të barabartë sa trefishi i çdo depozite.
3 Tetor 2009