E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani bën publike prioritetet e dikasterit që drejton



Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani konfirmoi dje vijimin e reformës në sistemin e drejtësisë të orientuar drejt interesit të qytetarëve si dhe përafrimit të legjislacionit vendas me standardet e Bashkimit Evropian (BE). Gjatë një deklarate për shtyp, ministri Nishani tha se, "vijimësia e reformave do të ketë për qëllim forcimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë". Duke folur për prioritetet e dikasterit që drejton në kuadër të reformës në drejtësi, Nishani tha, se në fokus do të jetë transparenca e procedurave, që do të mundësohet falë dixhitalizimit duke lehtësuar kësisoj procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, verifikimin e proceseve gjyqësore, etj. "Qeveria shqiptare ka objektiv të saj dixhitalizimin e sistemit publik, ç'ka është një element i rëndësishëm jo vetëm përsa i përket lehtësimit të procedurave, thjeshtimit të tyre, por edhe për shmangien e mundësive të aferave korruptive”, tha Nishani. Gjithashtu, ministri i Drejtësisë shprehu angazhimin maksimal të qeverisë për miratimin sa më shpejtë të ligjit për krijimin e Gjykatës Administrative, e cila siç theksoi ai, do të sigurojë barazinë para ligjit në proceset gjyqësore mes individëve dhe organeve administrative.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›