Ministria e Shëndetësisë kërkesë spitaleve të tregojnë borxhet që kanë
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë kërkesë drejtorive spitalore në vend për të dorëzuar të detajuar borxhet që kanë ndaj grosistëve farmaceutikë dhe kompanive që i pajisin me materiale mjekësore. Ministria ka marrë përsipër të njohë masën reale të borxhit dhe më pas do të hartohet një vendim qeverie për mënyrën e shlyerjes dhe për faljen e borxheve ndaj spitaleve, siç është premtuar dhe nga ish- ministrja Anila Godo. Pak ditë më parë në një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, grosistët kërkuan kthimin e borxhit që spitalet kanë ndaj tyre. Pas kësaj kërkese, dy ditë më parë Ministria e Shëndetësisë nisi procedurat për t’u njohur me të gjitha borxhet që ka çdo spital. Spitalet kanë mjaft borxhe, pasi nuk kanë mundur të përballojnë të gjitha blerjet në aparatura dhe medikamente nga buxheti vjetor. Madje borxhet e spitaleve kanë vite pa u shlyer, gjë e cila çoi në krizën e spitaleve.
Zgjidhja
Nisma e Ministrisë së Shëndetësisë synon që të shmangë situatën e krijuar dhe spitalet të mos kenë më borxhe, si dhe grosistët farmaceutikë të mos kenë më probleme të këtij lloji.
“Mbas takimit të Ministrit me grosistët, duke nisur që nga dje i është kërkuar institucioneve shëndetësore të dërgojnë pranë drejtorisë ekonomike këtu, masën e borxhit që iu kanë grosistëve farmaceutikë si dhe kompanive të tjera të materialeve mjekësore. Kjo, për arsye se ne e kemi pasur shumën e borxhit, por institucionet shëndetësore mund të kenë shlyer fatura gjatë këtyre muajve. Për këtë duhet shifër e saktë mbasi do të përgatitet një Vendim Qeverie”,- bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. Për të shmangur problemet e grosistëve me spitalet apo të sektorit shëndetësor, ministri Vasili u premtoi se në të ardhmen do të institucionalizohet bashkëpunimi midis palëve duke rënë dakord që të organizohen takime dypalëshe tremujore, me qëllim që problemet që dalin, të kapen që në fillim duke u dhënë dhe zgjidhjet përkatëse.
Situata
Borxhet e spitaleve arrijnë shifra të larta, të cilat janë të akumuluara në vite. Vetëm QSUT-ja ka 80 milionë lekë borxh, duke nisur që nga viti 2001. Borxhet në të gjitha spitalet e vendit kanë ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të fondeve, të cilat janë shtuar nga viti në vit. Në një përllogaritje të thjeshtë, jopërfundimtare, borxhet kapin vlerën e 640 milionë lekëve në të gjitha spitalet. Nga të dhënat e MSH-së të disa muajve më parë, prej 18 vitesh spitalet punojnë me borxhe. Aktualisht në spitale po aplikohen reforma të mëdha si autonomia dhe futja e skemës së sigurimeve shëndetësor, e cila nuk mund të aplikohet nëse spitalet kanë borxhe. Prandaj ISKSH-ja, në deklaratën e fundit për këtë çështje ka bërë të ditur se e përveç masës së marrë nga qeveria, ajo që duket është se borxhet nuk do t’u ngelen as spitaleve dhe as ISKSH-së, në mënyrë që shtrirja e skemës të mos pengohet nga kjo situatë.
3 Tetor 2009