E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria, libër për simptomat e sëmundjes së fëmijëve



Pacientët e vegjël në Pediatrinë e Tiranës, do të kenë mundësi, të njihen me simptomat e sëmundjes së tyre, si dhe trajtimin e saj. Në Spitalin e Pediatrisë në Tiranë, në Pavijonin e Anko- hematologjisë, ku janë të shtruar fëmijë me sëmundje të rënda të gjakut, është promovuar libri “Një libër për ju dhe për fëmijën tuaj”. Libri synon që të thyejë mentalitetin që kanë prindërit për të mos i njohur fëmijët me diagnozën e sëmundjes së tyre, si dhe kurimin e saj. Sipas psikologëve, kjo është një metodë që përdoret në spitalet evropiane, si në ata të Francez, pasi nëpërmjet saj synohet përmirësimi i gjendjes psikike të pacientit. “Ne jemi pavijon i Anko- hematologjisë ku trajtohen sëmundjet si anemitë e thella, sëmundjet e gjakut etj. Kemi trajtimet e kancerit të gjakut, sëmundje të vështira, që duan një lloj kujdesi. Libri ndërmjetëson komunikimin, për shembull me thënien e diagnozës së familjes është një lloj ndryshimi i madh që ndodh, si dhe për fëmijën”,- thotë Jolka Nathanaili, psikologe në pavijonin e Anko-hematologjisë. Libri në përmbajtje të tij ilustron sëmundjet e rënda nëpërmjet figurave dhe këshillave të cilat edhe pse flasin për simptoma nga më të rëndat në organizëm, janë të shpjeguara në formë humoristike. “Nuk është një libër me përralla, është një libër me figura dhe që shërben për të shpjeguar si për fëmijën dhe për prindërit se çfarë ndodh, kur vuan, pse është ndryshe nga të tjerët, çfarë pasojash mund të kesh nga sëmundja”,- theksoi Nathanaili. Mosha më e shpeshtë me të cilët përballen specialistët në këtë pavijon janë nga tre vjeç e sipër. Ndërkohë që numri i tyre është i konsiderueshëm, dhe shkon dhe në 20 pacientë në ditë.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›