Lushnje, Milo: Zgjedhjet në duart e Berishës do të prodhojnë gërdece
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo mori pjesë në Konferencën e Partisë Demokracia Sociale për degën e Lushnjes. Milo midis të tjerave u foli të pranishmëve në Konferencë për rëndësinë e madhe që kanë këto zgjedhje dhe për një angazhim më të madh të strukturave jo vetëm në Lushnje, por në të gjithë Qarkun e Fierit. Ne duhet të bëjmë ndryshimin politik që shqiptarët e kërkojnë me shumicë, theksoi Milo. Sipas tij, tashmë kjo qeverisje është vërtetuar publikisht që është e dështuar, e korruptuar.
Gjithashtu, Milo tha se kjo qeverisje është e paaftë me një kryeministër të pa zoti, demagog, mashtrues. Milo bëri thirrje që kjo qeveri të iki një orë e më pare, që ti çliroj shqiptarët nga ankthi për ti hapur Shqipërisë dhe shqiptarëve perspektivën reale të evropianizimit. Gjithashtu theksoi ai, se kjo qeveri duhet të ikë që shqiptarët ti shpëtojnë nga makthi i përditshëm i papunësisë, i varfërisë dhe i të gjitha fenomeneve të tjera negative, që kjo qeveri ka prodhuar me bollëk, gjatë këtyre 4 vjetëve të saj. Nëse doni të ndryshojë Shqipëria, jeta e fëmijëve tuaj, perspektiva e këtij vendi duhet ti krijojmë rrethana të reja politike, të cilat mund ti sjellin vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, u shpreh Milo. Sipas tij, këto zgjedhje po ti lëmë në dorën e mazhorancës dhe të kryeministrit Shqiptar që ti organizojë dhe administrojë, do të prodhojë Gërdec të tjerë politik si ai i vitit të kaluar. Në qoftë se e lëmë zotin Berisha që të administroj të gjithë procesin deri në fund, pa e trazuar, pa e vënë nën presion, pa i kërkuar të plotësohen standartet e kërkuara, atëherë të jemi të sigurt se do të kemi një kopje të zgjedhjeve të manipuluara si ato të vitit 1996, tha Milo. Duke iu drejtuar qytetarëve lushnjar, Milo tha se nëse e lëmë sërish në pushtet Berishën, Shqipëria të mos pres progres ekonomik, nuk duhet të pres as respektin e standardeve aktuale të demokracisë. Sipas tij, kryeministri e ka dëshmuar se sa më shumë pushtet të grumbullojë aq më i egër bëhet, aq më diktator bëhet, aq më i pakontrollueshëm bëhet dhe aq më e mjerueshme bëhet situata në Shqipëri. Ai është prodhim i vjetër i kohës së vjetër, që për rreth 18 vjetë rrjesht u ka dëshmuar shqiptarëve që dora e tij e hekurt është jo për të ndërtuar, por për të prishur, që demagogjija e tij është klasike, që mashtrimi i tij është profesional. Prandaj ne duhet ti themi më 28 qershor ik me votën e lirë të shqiptarëve, u shpreh Milo.