E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derëmbylluri i PS

Mbrojtja e interesave personale dhe interesave të klanit të Pezës po e çon Edvinin drejt eliminimit total të PS-së. Me financimin e frymës së bojkotit, për shkak të sponsorizimit që i vjen nga interesa antishqiptare, apo po e përjashton PS-në nga vendet ku bëhet politikë, duke sjellë mbylljen totale të partisë, të cilën e ka shndërruar në një dyqan politik që ka shpallur “likuidim total”. Prej situatës po kërkojnë të përfitojnë pensionistet e kryesisë, por shumë deputetë të Grupit Parlamentar kanë ndërmend të mos e ndjekin pas Derëmbyllurin, por t’i kthehen institucionit ku miratohen reformat që e afrojnë vendin me BE-në

Partia Socialiste po thyen të gjitha rekordet në shpejtësinë me të cilën po shndërrohet në një organizatë joqeveritare, bile në një dyqan jopolitik, i cili është mbyllur, ka shpallur falimentimin dhe ka vendosur të ushtrojë bakshishin me një klientelë preferenciale për mallrat që do të jepen me ulje çmimi, meqenëse “ndërmarrja” likuidohet. Edi Rama ka injoruar në vazhdimësi të gjitha rekomandimet e ndërkombëtarëve, e ka shndërruar bojkotin në një aksion revolucionar të partisë kryesore të së majtës, dhe po ecën me shpejtësi drejt një vetëmbylljeje, që mund t’i garantojë qetësi personale, po aq sa u garanton figurave të filmave vizatimorë, faza vetmitare para eliminimit të plotë. Asnjë këshilltar i tij, as i vjetër e as i ri, nuk ndihet më i dobishëm tek paradhoma e Derëmbyllurit. Ai ka ende halle të shumta personale për të zgjidhur dhe është mbyllur në izolim veç me partnerët e kastës së ngushtë të Kullës së Pezës. Me ata e ka kauzën e aferën dhe jo me socialistët, as me të vjetrit, bile as me disa prej të rinjve. Për Derëmbyllurin, partia është “closed” dhe gjithçka duhet “shitur” për të mos lënë asgjë prapa. Lidhjet malavitoze i kanë inat këto fije, prandaj edhe likuidimi total i Partisë Socialiste nënkupton pikërisht zhdukjen e këtyre gjurmëve. Në njoftimet paraprake të gazetës tonë në internet, rreth nismës së Edvinit për të paralizuar të majtën, edhe në qoftë se ky veprim do të shkonte në dëm të interesave kombëtare dhjetëra lexues i janë përgjigjur duke dhënë shembuj të ndryshëm e prova shtesë për këtë aksion apatrid të Edvinit. “Edvini ka vepruar shume keq kësaj radhe në Shkodër. E ka lënë pa punë atë kameramanin e Ora News që filmon nga lart, bile ca gojë të liga thonë se po stërvit ca snajpera kundërajrorë, që t’i përdorë me 20 nëntor, kur do mbledhë pensionistët në Tiranë”, thotë Fatos Gega, nga Gjermania. “Ju lumtë, o shkodranë. R.epublika e Iliridës solidarizohet me ju. Shkodra nuk ka vend për komunistë, mbajeni larg atë virus të Serbisë”, thotë lexuesi Korab Gostivari, në një postim në faqen e internetit të gazetës “55”, për politikën apatride që po ndjek lidershipi aktual i PS-së. “Kot e ke, o Edvin, nuk ia vlen, s’të mbështet njeri, se e ka parë se s’bëhet kështu siç bën ti. Po le nam, me Erionin e Spartakun përkrah. Shkoni në parlament dhe mos na bëni me llafe kot nëpër botë”, thotë Gimi në një postim tjetër, duke u ndalur tek profecia e dështimit të aksionit aktual të Edvinit. Por, linjën e shkrimit tonë të sotshëm e përcaktoi postimi i një lexuesi tonë të rregullt, i cili duke parashikuar falimentimin politik të së majtës, thotë: “Ja çdo të thotë kur të zë mallkimi i shumicës së shqiptarëve: T’u mbyllttë dera! Të hysh vetë brenda e të mbyllesh nga brenda me duart e tua”.
Është thjesht paradigma e krijuar për politikanin izolacionist që ka uzurpuar Partinë Socialiste dhe po e eleminon atë politikisht për interesat e tij të ngushta private, paçka se kjo vijë sjelljeje mund të sjellë dëme afatshkurtra në kursin e reformave që do ta afrojnë vendin me Bashkimin Evropian. Derëmbylluri tashmë e ka vendosur fatin e vet, por fakti ngushëllues është se në atë derë të uzurpuar tashmë s’po trokasin më, jo vetëm zgjedhësit e thjeshtë, jo vetëm socialistët e thjeshtë, por as anëtarët e Grupit Parlamentar Socialist, të cilët me afrimin e datës së skadencës për marrjen e mandateve të deputetit, po mendojnë zgjidhjet e tyre personale, të cilat janë të ndryshme nga zgjidhjet e Derëmbyllurit, dhe shkojnë në dëm të interesave personale të disa shushunjave të tjera të politikës majtiste, të cilët në versionin pensionist të politikës, po përpiqen të përfitojnë nga likuidimi politik që Edvini i ka shpallur ndërmarrjes socialiste. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›