E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1, Masa "pole" në Brazil

Felipe Masa do të niset nga vendi i parë në Çmimin e Madh të Brazilit. Një pozicionim mjaft shpresëdhënës për pilotin e Ferrarit në garën për titull, mbi të gjitha për faktin se Luis Hemilton është vetëm i katërti. Përpara britanikut të MekLaren ndodhen Jarno Truli, që me Tojotën u klasifikua i dyti dhe Kimi Raikonen. Në fund të provave zyrtare në Interlagos, vija e nisjes është pothuajse e përsosur për "kokëkuqen", që mban të hapur deri në fund garën për Botërorin. Në fakt, ky ishte edhe objektivi kryesor i skuderisë Ferrari: Masa në "pole position" dhe Hemilton disi i shkëputur. Në garën e sotme, gjithçka mund të ndodhë dhe rivaliteti fillon që prej kthesës së parë. Përpara se të tentojë parakalimin e kundërshtarëve, Hemilton duhet të mbrohet nga sulmet e Fernando Alonsos. Ngushëllimi i vetëm i britanikut është shoku i skuadrës, Kovalainen, nga i cili shpreson që ta mbrojë nga rivalët e klasifikuar më pas. Por, në Brazil pritet të ndikojnë edhe kushtet atmosferike (të shtunën kishte diell, ndërsa sot priten reshje) dhe strategjitë e garës që do të përdorin skuadrat. Pikët që Masa duhet të rikuperojë ndaj Hemilton për të fituar titullin janë shtatë, por braziliani duket më tepër i përqendruar te fitorja përpara publikut në "shtëpi". "Mendoj se është një betejë e bukur. Është e jashtëzakonshme kur shoh këtë mbështetje që marr këtu në Interlagos, më ndihmojnë pa masë. Fitova ‘pole position‘-in e tretë radhazi në Brazil, në shtëpinë time. Kjo është gjëja më e bukur", deklaroi ferraristi. "E kam të vështirë të përshkruaj atë që ndjej, edhe sepse të gjithë këta tifozë që na ndjekin e dashurojnë atë që ne pilotët bëjmë. Nisja nga vendi i parë është shpërblimi për punën tonë. Nesër (sot) kemi 73 xhiro për të bërë, do të jetë një garë e gjatë dhe pozita më e mirë është padyshim nisja nga vendi i parë. Makina punon shumë mirë dhe tashmë më duhet të bëj sforcon e fundit".

Pavarësisht nisjes nga vendi i katërt, te MekLareni nuk e dramatizojnë situatën. Hemilton mbetet në garën për titull, sepse edhe nëse Masa fiton, atij do t‘i mjaftonte një vend i pestë. "Mendoj se jemi fare pranë Ferrarit, na ndan vetëm një e dhjeta e sekondës, asgjë më shumë", tha Hemilton. Ndërsa drejtuesi i "shigjetave të argjendta", Ron Denis, deklaroi: "Kemi gjithçka nën kontroll. Na kanë ndodhur probleme teknike, në disa raste kemi edhe probleme me gomat. Do të përpiqemi të fitojmë kampionatin dhe jemi të qetë, pasi kemi besim te makina jonë dhe te strategjia që do të përdorim".

Ndërkohë, Berni Ekleston ka hedhur idenë e futjes së medaljeve në vend të pikëve për titullin kampion. Me këtë risi, fituesi i sezonit do të përcaktohet duke u bazuar te renditjet më të mira në gara. Sipas sugjerimit parashikohet që pilotët, të cilët ngjiten në podium, të marrin medalje ari, argjendi dhe bronzi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›