E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu, marshimi përfundon në Lezhë

Besëlidhja ndërpret marshimin e Skënderbeut drejt rikthimit në Superiore. Pas shtatë rezultateve pozitive radhazi në Kategorinë e Parë (pesë fitore dhe dy barazime), korçarët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë në Lezhë përballë "pokerit" të skuadrës së drejtuar nga tekniku Gjetja. Ndeshja u mbyll me rezultatin final 4-1, por Skënderbeu vazhdon të ruajë vendin e parë në klasifikim. Kjo edhe sepse Gramozi, ndjekësi më i afërt i bardhekuqve, nuk ka marrë më shumë se barazimi pa gola me Adën e Velipojës. Pas pikës në fushën asnjanëse të Pukës, skuadra surprizë e këtij sezoni nga Erseka ngjitet në kuotën e 15 pikëve, dy më pak se kryesuesit. Në sfidën e vlefshme për të mbajtur hapin e kryesuesve, Laçi fiton 1-0 përballë Dajtit. Goli i Ivanajt ishte deciziv për të besuarit e Edi Martinit, që fitoi duelin me Përparim Daiun, i cili debutoi me humbje në krye të stolit të Dajtit. Megjithatë, në takimet e djeshme, ka buzëqeshur një tjetër debutues, Iliaz Haxhiaj (ish-trajneri i Besës së Kavajës), që në krye të Naftëtarit mposhti 2-1 Pogradecin. Fiton 2-0 pa derdhur shumë djersë Burreli: rezistenca e Tërbunit ka qenë thuajse inekzistente. Sot luhen edhe dy takimet e fundit në Kategorinë I, ku Sopoti pret Turbinën, ndërsa Bilisht Sport, Skraparin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›