E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi vlerëson Liverpulin si pretendent në Ligën e Kampioneve

Lionel Mesi "rrëfeu" se Liverpuli, i drejtuar nga Rafa Benitez, është skuadra që ka shanset më të mëdha për të triumfuar në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. Momentalisht "Reds"-at janë paraqitur si skuadra më në formë në Premiership dhe kryesojnë Grupin D në Champions, duke qenë në pozita mjaft të mira për t‘u kualifikuar në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë. Në aktivitetin më prestigjioz për klube në kontinent, Liverpuli është paraqitur gjithmonë si një skuadër pretendente: ata e kanë fituar kupën "me veshë të gjata" pesë herë, ku triumfi i fundit është regjistruar në vitin 2005, ndërsa në 2007-ën luajtën në finale. Sipas "clubcall.com", ylli i Barcelonës pranoi se anglezët janë mes kandidatëve kryesorë edhe në këtë edicion. Leo Mesi deklaroi: "Nëse do të më duhej të zgjidhja një skuadër që mund ta fitojë Ligën e Kampionëve, atëherë do të thosha Liverpuli". Sulmuesi argjentinas lavdëroi disa prej lojtarëve të Benitez dhe nënvijëzoi forcën e skuadrës, e cila është shumë e vështirë për t‘u "thyer". Mesi shpjegoi: "Ata kanë lojtarë të mëdhenj si Fernando Torres, Stiven Xherard, Dirk Kuijt e Havier Maskerano dhe janë një rival i vështirë për të gjitha skuadrat e tjera evropiane". Lojtari i Barçës e njeh mirë forcën e Liverpulit, edhe sepse në vitin 2007, katalanët u eliminuan (pas dy barazimeve, anglezët kaluan falë golave në fushën kundërshtare). Edhe pse pranoi se ata nuk praktikojnë gjithmonë një futboll të bukur, argjentinasi i përkufizoi si një skuadër pragmatiste, që mund të arrijë në finalen e muajit maj. "Nuk e përjashtoj faktin që në Champions ka skuadra që luajnë futboll më tërheqës se Liverpuli, përfundoi Mesi, megjithatë mendoj se ata mund të arrijnë deri në finalen që do të luhet në Romë". Liga e Kampionëve kthehet në mesjavë, ku Liverpuli pret në "Anfilld" spanjollët e Atletikos së Madridit, ndërsa Barcelona luan përballë Bazelit në "Kamp Nou".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›