E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i KE, Lohan: Reformë për drejtësi të pavarur

Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, kërkoi reformim të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që ky sistem jo vetëm të jetë i pavarur. Për zgjedhjet, sërish ambasadori i KE-së kërkon përshpejtim të miratimit të Kodit 

TIRANE-Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, kërkoi dje reformim të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që ky sistem jo vetëm të jetë i pavarur, por prokurorët dhe gjykatësit të bëhen më të përgjegjshëm. Ndërsa për zgjedhjet, sërish ambasadori i KE-së kërkon përshpejtim të miratimit të Kodit, pasi sipas tij duhet të përfundojnë dhe infrastruktura fizike e zgjedhjeve. Ai paralajmëroi se nuk ka rrezik të menjëhershëm për demokracinë në vend, duke lënë të kuptohet se ekziston një mundësi e tillë.
A ka KE-ja një vlerësim të vetin mbi ecurinë e reformave gjatë këtij viti?
Duhet të prisni deri më 5 nëntor për vlerësimin e KE-së për ecurinë e Shqipërisë gjatë 12 muajve të fundit. Me 5 nëntor, KE-ja do të publikojë raportin e tij vjetor për ecurinë e Shqipërisë. Shfrytëzoj rastin për të theksuar tre faktorët që janë ndoshta më të rëndësishëm për vlerësimin tone. Së pari, është përgatitja dhe zhvillimi i rregullt i zgjedhjeve parlamentare në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Zgjedhjet janë elementi bazë i një demokracie funksionale. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë zgjedhje që vlerësohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lira dhe të ndershme. Fusha e dytë është reforma e gjyqësorit, duhet të forcohet pavarësia, por gjithashtu dhe përgjegjshmëria e gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri, janë bërë përpjekje në këtë drejtim. Është shumë e rëndësishme që sistemi gjyqësor të reformohet në një formë që t’i përmbushë këto kërkesa. Përforcimi i pavarësisë dhe i përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë, dhe është e rëndësishme që këto reforma të vazhdojnë përtej ndryshimeve individuale nga një ministër te një tjetër për shembull, dhe përtej ndryshimeve të qeverisë. Kështu që është e rëndësishme që reforma në gjyqësor duhet të bëhet në konsensusin më të gjerë të mundshëm midis partive dhe aktorëve politikë të vendit. Elementi i tretë është legjislacioni, ai duhet të përgatitet imtësisht, të jetë i debatuar sa më gjerë, të jetë i mundur dhe në mënyrë transparente. Pasi është miratuar legjislacioni duhet të zbatohet në mënyrë të tillë që të ketë ndikim në jetën e përditshme. Jemi të sigurt se të gjithë mund të gjejmë shembuj legjislacioni në fushën e punësimit, të shëndetit dhe sigurisë në punë, të mjedisit, që mund të jetë i shkruar, por nuk zbatohet mjaftueshëm.
Ju e keni ndjekur debatin për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Sipas vlerësimit tuaj, a ekzistojnë rreziqe potenciale për demokracinë apo institucionet demokratike në Shqipëri?
Në këto kohë nuk shoh ndonjë rrezik të theksuar ndaj funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Ka pasur progres dhe shumë më tepër progres duhet. Ne do të japim një vlerësim të detajuar pasi një muaji, por sigurisht nuk ka një rrezik të menjëhershëm ndaj funksionimit të demokracisë në Shqipëri.
Reforma zgjedhore, a mendoni se partitë do të arrijnë në kohë për këtë reformë duke pasur parasysh eksperiencën aspak pozitive të shtyrjes së mandatit të komisionit kuvendor?
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që përgatitjet për zgjedhjet të finalizohen kohë më përpara qershorit, që është muaji i mundshëm i zgjedhjeve. Më specifikisht, kjo do të thotë se puna për Kodin Zgjedhor duhet të përfundojë në një kohë të shkurtër të mundshme. Kjo do të thotë që të gjitha çështjet e tjera të zgjidhen brenda javëve dhe muajve të ardhshëm, çështjen që ka të bëjë me infrastrukturën fizike zgjedhore, çështjen e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit, të përcaktimit të listave të votuesve, pra të një seri parakushtesh për zhvillimin e zgjedhjeve që duhet të plotësohen tani. Jo pikërisht në këtë moment, por sa më shpejt të jetë e mundur.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›