E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, parulla për Enver Hoxhën

Grafitet e shumta në pjesët më të dukshme të mureve anësorë sipërfaqësorë në Gjirokastër, që paralajmërojnë festimin e 100-vjetorit të lindjes së diktatorit Enver Hoxha, kanë alarmuar përfaqësuesin e qeverisë shqiptare në jug të vendit.

Me anë të një komunikimi me mediat, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i gjendur përballë këtij realiteti të krijuar, u ka bërë thirrje zyrtarëve vendorë të policisë të reagojnë duke ndaluar mbishkrimet.

Duke marrë në konsideratë ankimimet e mjaft qytetarëve që shprehin indinjata për këtë fenomen, është e udhës të eliminohen këto shkrime në pjesët e dukshme të Gjirokastrës, është shprehur Ksera.

Ky i fundit, mbishkrimet me emrin e diktatorit, yllin e kuq, si dhe draprin dhe çekanët që janë grafikuar ngado, i ka quajtur si dhunë psikologjike ndaj nxënësve dhe rinisë së sotme.

Për këtë arsye, Ksera i ka kërkuar përveç policisë lokale dhe asaj bashkiake, edhe institucioneve fetare, shtetërore dhe qendrave kulturore dhe bashkinë e qytetit, të përdorin të gjitha mundësitë ligjore për shuarjen e këtyre parullave.

Afati mjaft i shkurtër që u është lënë këtyre institucioneve për shuarjen e grafiteve nëpër muret e Gjirokastrës, ka vënë në siklet punonjësit shtetërorë, të cilëve do t’u duhet të dalin që nesër me një kovë me gëlqere dhe furçë të shuajnë mbishkrimet me ngjyrë të kuqe që evokojnë figurën e diktatorit Hoxha.

Sipas Kserës, këto mbishkrime janë të suportuara nga segmente të interesuara, të cilët iu rikthehen metodave të terrorit psikologjik si dikur në kohën e sistemit socialist.

Parullat me mbishkrime komuniste ndaj figurës së Hoxhës kanë njohur një intensitet të madh gjatë këtij muaji, pasi, siç dihet, në 16 tetor mbushen 100 vjet nga lindja e ish-liderit komunist shqiptar, Enver Hoxha. Komunistët lokalë kanë planifikuar një sërë aktivitetesh festive, si dhe kanë paralajmëruar ardhjen e liderëve komunistë jo vetëm vendas, por dhe të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›