Ambasadori i KE në Tiranë Lohan, konfirmon se kandidatura e Shqipërisë do të shqyrtohet në vjeshtë

Ndërkombëtarët konfirmojnë për të disatën herë se vjeshta e këtij viti do të shënojë periudhën e shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan i ka mëshuar edhe më shumë deklarimeve të herë pas hershme që vijnë në këtë funksion nga Brukseli zyrtar.
“Shqipëria e 2009-ës është anëtare e NATO-s një vend që ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe që ka një perspektivë të qartë evropiane në rrugën e saj, gjatë një viti apo një viti e gjysmë. Pres që diku në vjeshtë Këshilli i Ministrave të BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian lejen për të hartuar një opinion mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim”, u shpreh Lohan.
Ai deklaroi se BE do t’i paraqesë qeverisë një pyetësor të gjatë rreth aspekteve të standardeve evropiane.
“Ne do i paraqesim qeverisë shqiptare një pyetësor që mbulon në detaje të gjitha aspektet e standardeve evropiane. Partnerët tanë shqiptarë do të na japin përgjigje për më shumë se dy mijë pyetje brenda një kohe relativisht të shkurtër. Përgjigjet do të analizohen, mund të bëhen pyetje të tjera, dhe në fund KE do të paraqesë opinionin e tij përpara shteteve anëtare, së bashku me rekomandimet nëse duhet apo jo t’i jepet statusi Shqipërisë”, nënvizoi ambasadori i KE në Tiranë, Helmut Lohan.
Deklaratat, diplomati i huaj i bëri në ceremoninë që shënoi diplomimin e studentëve të Shkollës së Politikës.
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, konfirmoi gjithashtu faktin se që këtej e tutje kërkesa e llogarisë për politikën do të jetë më e madhe.
“E përmenda dhe më lart që aspekti i integrimit në të ardhmen më të afërt është mjaft i qartë, por doja të theksoja që duke ecur përpara drejt integrimit, do të rriten dhe sfidat dhe kërkesat për klasën politike, liderët, administratën, mediat shqiptare dhe të gjitha standardet e tjera”, u shpreh Lohan.
Pak ditë më parë, kryeministri suedez Fredrik Reinfelt dhe ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, u shprehën se përgjigja e Brukselit, për aplikimin e Shqipërisë, e cila kërkon të marrë statusin e vendit kandidat, do të jepet shumë shpejt.
Fredrik Reinfelt, kryeministri i Suedise, vendit që mban presidencën e radhës në Bashkimin evropian, konfirmoi se këtë vjeshtë do të zgjidhet edhe çështja e aplikimit për Shqipërinë.
“Ne shpresojmë të jemi në gjendje t’i përgjigjemi aplikimit gjatë kësaj vjeshte, por nuk kemi ende një përgjigje se në cilën datë. Ka shumë diskutime tani, në këtë moment, në Bashkimin Evropian për çështjet e zgjerimit.
Të njëjtën gjë pohoi edhe ministri i Jashtëm Italian, Franko Fratini.
Sipas tij, situata tani është e pjekur për vlerësimin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim.
“Italia ju mbështet, presidenca aktuale, presidenca suedeze, gjithashtu ju mbështet. Kështu që unë shpresoj se asnjë vend anëtarë nuk do të ketë problem lidhur me kandidimin e Shqipërisë”, deklaroi Fratini.
Kësisoj, lidhur me qëndrimet e fundit të zyrtarëve të Brukselit, pritet që në javët në vijim, jo më larg se muaji nëntor, Shqipëria të marrë përgjigjen zyrtarë nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, për statusin e vendit kandidat.
...