E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania dhe Franca garantojnë mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave me BE

Britania e Madhe dhe Franca, do të mbështesin procesin e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE. Kjo iu konfirmua dje ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, gjatë takimeve të veçanta me ambasadoren e Francës, Maryse Daviet dhe atë të Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham.

Gjatë këtyre takimeve Ministri Basha, bashkëbisedoi me ambasadoret Mcllwham dhe Daviet mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e Francës në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme me të cilat përballen agjencitë ligj zbatuese.

Ndër të tjera në takimet që u zhvillua u diskutuan për perspektivën e afërt të proceseve integruese të Shqipërisë dhe për ecurinë e përmbushjes së kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit, Ambasadorja Mcllwham i dorëzoi Ministrit Basha letrën përshëndetëse të Ministrit të Brendshëm britanik, Alan Johnson, i cili pasi i përcjell përgëzimet e tij për emërimin në detyrën e Ministrit të Brendshëm, thekson se.

“Mbretëria e Bashkuar vlerëson Shqipërinë si partnere në luftën kundër krimit të organizuar dhe deklaron gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit kundër kriminalitetit në të dy vendet”, shkruhet në letrën drejtuar Ministrit Basha nga homologu i tij Britanik.

Gjithashtu dhe Ambasadorja Daviet, dorëzoi në takim letrën përshëndetëse të Ministrit të Brendshëm të Francës Brice Hortefeux, i cili përgëzon Ministrin Basha për marrjen e detyrës dhe siguron për perspektivën e ndërtimit të një bashkëpunimi sa më të frytshëm mes të dy vendeve, shkruan homologu Francez.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›