E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i KE-së, Lohan: “Zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për vendin”

“Shqipëria ka shansin të demonstrojë se ka pjekurinë të organizojë zgjedhje të lira”

Eljona Ballhysa

Ambasadori i Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, ka deklaruar dje se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri janë një test shumë i rëndësishëm për vendin. Këtë deklaratë Lohan e bëri gjatë fjalës së mbajtur në konferencën “Drejt Europës”, të organizuar nga Ministria e Integrimit në kuadër të përfundimit të projektit “SMEI”, i financuar nga KE-ja, që synonte përforcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Integrimit për zbatimin e MSA-së. Gjatë fjalës së tij, Lohan theksoi se me këto zgjedhje Shqipëria ka shansin të tregojë së ka pjekurinë demokratike për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Ai gjithashtu bëri të ditur se Komisioni Europian po monitoron çdo moment të procesit zgjedhor në Shqipëri. Deklarata e Lohanit është në të njëjtën linjë me deklaratat e përfaqësuesve të prezencave të tjera ndërkombëtare në vendin tonë. Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri po monitorohen nga i gjithë faktori ndërkombëtar i pranishëm në vendin tonë. Edhe ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers, deklaroi pak ditë më parë se SHBA-të po monitorojnë procesin zgjedhor dhe presin që zgjedhjet të përmbushin standardet ndërkombëtare. Madje ai shtoi më tej, duke bërë të ditur se mospërmbushja e standardeve në zgjedhje do të shënojë regres për zhvillimet në Shqipëri.
Vëmendja e lartë e ndërkombëtarëve për këto zgjedhje vjen për shkak se Shqipëria tashmë është anëtare me të drejta të plota në NATO dhe ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, ndaj dhe kërkesat ndaj saj janë më të larta.
Deklarata
“Jemi pak më shumë se dy javë para zgjedhjeve dhe Shqipëria ka shansin të demonstrojë se ka arritur nivelin bazë të pjekurisë demokratike dhe ka kapacitetin për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Bashkimi Europian dhe partnerët e tjerë të Shqipërisë po ndjekin me kujdes dhe me përqendrim të madh këtë test të demokracisë”, - është shprehur Lohan gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e djeshme “Drejt Europës”. Duke u ndalur në proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian ambasadori i KE-së në Shqipëri vuri theksin në domosdoshmërinë e konsensusit të politikës shqiptare edhe në Parlamentin e ardhshëm, që do të krijohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Duhet konsensusi i palëve në Parlamentin e ri për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - deklaroi Helmut Lohan. Duke iu referuar aktivitetit, Lohan e vlerësoi konferencën “Drejt Europës” duke u shprehur se “motoja e saj është kryefjala e objektivave kryesorë politikë të Shqipërisë, por edhe se kjo konferencë përmbyll një projekt nga i cili Ministria e Integrimit, si partnerja kryesore e delegacionit të KE-së dhe ndërmjetëse e qeverisë shqiptare, ka përfituar shumë nga ky projekt i suksesshëm”.
Aktiviteti
Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë fjalës së mbajtur në këtë konferencë, shprehu falënderimet për mbështetjen e KE-së në fuqizimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë, çka ka ndikuar në bilancin pozitiv të procesit të integrimit me një rezultat të kënaqshëm të zbatimit të MSA-së dhe me aplikimin e vendit për anëtarësim. “Sot, tre vjet pas nënshkrimit të MSA-së dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, integrimi europian vazhdon të jetë prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare dhe i shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Kjo është shprehur qartësisht me paraqitjen e kërkesës për anëtarësim nga Shqipëria më 28 prill”, - tha ministrja Bregu në fjalën e saj.
Ajo bëri publike dhe rezultatin e kësaj ministrie mbi njohuritë e deputetëve për hapat integrues të vendit. Sipas sondazhit, 80% e deputetëve shqiptarë janë në dijeni të hapave për integrimin e Shqipërisë në BE. Pjesa tjetër, sipas ministres Bregu, duhet të mbesë jashtë Kuvendit. “20% e deputetëve nuk kishin njohuri. Besoj dhe shpresoj që ky 20 përqindësh nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm dhe sigurisht dhe ndërmjet politikanëve do të ketë më shumë përgjegjësi për të kuptuar procesin e integrimit të Shqipërisë, si një proces i cili kërkon vullnet dhe kontribut të të gjithë aktorëve dhe sigurisht jo vetëm të qeverisjes, e cila është aktorja kryesore”, - është shprehur Bregu. Objektivi i projektit “SMEI” ishte forcimi i kapaciteteve të Ministrisë së Integrimit për zbatimin e MSA-së dhe forcimi i sistemit të menaxhimit të asistencës komunitare. Shuma e vënë në dispozicion nga BE-ja ishte 2 milionë euro.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›