Meta në Shkodër: LSI-ja nuk i konsideron të rinjtë dekor, por prioritet të qeverisjes së saj
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka vijuar turin e takimeve me qytetarët për prezantimin e “Planit për veprim” dhe të kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës. Meta ka zhvilluar një takim mjaft entuziast me qindra banorë në komunën e Hajmelit të Shkodrës, ku ka prezantuar “Planin për Veprim” të LSI-së, që ka një program mjaft të detajuar se si ta nxjerrë bujqësinë nga kriza, të nxisë prodhimin e vendit dhe të hapë 50 mijë vende të reja pune duke krijuar dhe promovuar një industri agropërpunuese. Më pas Lideri i LSI-së ka zhvilluar një takim me të rinj dhe të reja në Vaun e Dejës. Meta shoqërohej në këtë takim nga kandidatët për deputetë të LSI-së në qarkun e Shkodrës, Sokol Axhemi, Seit Fishta dhe Nora Malaj. Gjatë takimit, Meta u shpreh se me këtë sistem zgjedhor zgjedhjet i fiton LSI-ja, sepse LSI-ja është forca vendimtare përcaktuese për maxhorancën e ardhshme dhe për qeverinë e re. Duke folur për rininë shqiptare, Meta tha se LSI-ja, ndryshe nga partitë e tjera, nuk i konsideron të rinjtë si dekor, por si prioritet të qeverisjes së saj. “Ne vijmë me një program shumë të qartë për të gjithë Shqipërinë, për të garantuar 100 mijë vende të reja të qëndrueshme pune për katër vitet që vijnë. Është një program shkencor dhe realist, konkret, për të gjallëruar ekonominë, për të gjallëruar bizneset, për të futur njerëzit në punë dhe kjo, në radhë të parë, do të thotë të futen të rinjtë në punë. Ne synojmë për të bërë atë reformë në arsim që i ndihmon të gjithë që të punësohen më shpejt, si ata që nuk do të ndjekin studimet e larta, por edhe ata që ndjekin shkollën e lartë. Edhe pse ne jemi kundër një sistemi të listave të mbyllura, zgjedhjet i fiton LSI-ja, sepse LSI-ja është forca vendimtare përcaktuese për maxhorancën e ardhshme dhe për qeverinë e re, kështu që kjo është një garanci shumë e mirë që ne të realizojmë premtimet tona kryesore, dhe angazhimet tona kryesore janë me rininë. Ne të rinjtë nuk i përdorim si dekor, si fasadë, ne të rinjtë dhe të rejat i vlerësojmë dhe u kemi dhënë prioritet”, - tha Meta.
13 Qershor 2009