E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka në Shkodër: “PD-PS po shkelin standardet minimale për zgjedhjet”



Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, ka akuzuar dy partitë e mëdha se po shkelin standardet e zgjedhjeve duke përdorur administratën shtetërore të mbushë sheshet gjatë mitingjeve që ata zhvillojnë. “PD-PS po shkelin standardet më minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - është shprehur Ndoka. Sipas tij, më 28 qershor zgjedhësit duhet t’u japin fund praktikave të abuzimit të tejskajshëm të pushtetit jo vetëm për pasurimin e drejtuesve të pushtetit dhe të rrethit familjar, por edhe të deformimit të zgjedhjeve. “Ne nuk mund të lejojmë që demokracia jonë e brishtë të merret peng nga dy njerëz, që gjithçka e quajnë të tyren, Shqipërinë, qeverinë, partinë, prokurorinë, gjykatën, bregdetin, zonat turistike, rrugët, lumenjtë, liqenet, pronën dhe liritë e qytetarëve”, - tha Ndoka. Sipas tij, PS-ja dhe PD-ja kanë përfshirë shtetin, administratën publike qendrore dhe lokale dhe të gjithë logjistikën e mundshme shtetërore në fushatë, në kundërshtim me ligjin. “Papërgjegjshmëria dhe babëzia e tyre arrin deri dhe në përdorimin e fëmijëve të shkollave, të cilët po keqpërdoren nëpër mitingje”, - është shprehur Ndoka. Ai nënvizoi si shqetësuese faktin që shumë kandidatë në kundërshtim me ligjin vazhdojnë garën pa dhënë dorëheqje nga postet publike dhe shtetërore që mbajnë.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›