Oketa në Durrës: “Letërnjoftimi, dokumenti që do të kalojë kufijtë e BE-së”
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Gazmend Oketa, u bëri thirrje qytetarëve të tërheqin sa më shpejt kartat e identitetit, por edhe të shkojnë e të aplikojnë edhe në këto ditë, pasi karta e identitetit nuk është vetëm një kartë votimi, por një dokument i domosdoshëm identifikimi. “Për herë të parë shqiptarët kanë në dorë një dokument nga më modernët e të sigurtët. Është për të ardhur keq që për shkak të një motivi politik, opozitarët në debatet e tyre kërkojnë ta identifikojnë kartën e identitetit vetëm me një dokument të thjeshtë votimi. Është një projekt madhor që nuk mund të identifikohet vetëm me votimet. Ky është një dokument që për të gjithë ne do të nevojitet shumë në jetën tonë të përditshme. Në sportelet e shumta të administratës publike shqiptarët nuk do të kenë më nevojë për certifikata, pasi tashmë kanë një dokument identifikimi dhe në të ardhmen, kur Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, kalimi i kufijve do të bëhet edhe nëpërmjet këtij dokumenti. Edhe pak ditë na ndajnë nga ajo mundësi që të gjithë e kemi për të aplikuar për kartën, ju bëj ju thirrje dhe dua që këtë mesazh edhe ju ta përcillni tek miqtë, të afërmit e shokët tuaj”, - tha Oketa.
13 Qershor 2009