E Diel, 1 Nëntor 2026

Jak Ndoka: “Poli i Lirisë, i avantazhuar pasi është e vetmja ofertë e djathtë”

Kandidati për deputet i demokristianëve në Tiranë flet për strategjinë elektorale. Cilat janë shtyllat e programit dhe prioritetet e koalicionit të djathtë ”Poli i lirisë”

Kandidati i Partisë Demokristiane për Tiranën, Jak Ndoka, në një intervistë për ”Albania”-n ka fokusuar objektivat e PDK-së dhe të Polit të Lirisë në këtë fushatë, duke bërë paralelisht dhe një renditje të programit të tij personal si kandidat për Tiranën. Sipas Ndokës, avantazhi në këto zgjedhje do të jetë fakti se votuesit po e gjejnë veten përballë dy koalicioneve të majta (PD dhe PS) dhe, sipas tij, të gjithë votuesit e djathtë ndiejnë zhgënjim dhe do të afrohen pranë Polit të Lirisë. Ndoka ka theksuar se reforma në Drejtësi dhe shteti i së drejtës janë objektivi kryesor i këtij koalicioni, ndërsa jo më pak prioritare do të jenë dhe strategjitë për trajtimin e pronarëve apo planet për mbështetjen dhe rigjenerimin e biznesit në vend.

Zoti Ndoka, jeni për të tretën herë kandidat për deputet në Tiranë. Në ç’raport e shihni veten me situatën zgjedhore në përgjithësi?
Natyrisht që pritet të jetë një betejë e fortë, kryesisht edhe për faktin se përfaqësuesit e partive apo koalicioneve që nuk kanë lidhje me PS-në apo me PD-në operojnë në një terren zgjedhor që nuk i favorizon. Por personalisht nuk mendoj se bëhet fjalë për ndonjë pengesë decizive. Kjo për vetë faktin se Partia Demokristiane për të cilën unë kandidoj nuk është një parti amorfe apo pa identitet. Përkundrazi, kjo parti ishte promotore e krijimit të Polit të Lirisë, një koalicion që për hir të së vërtetës është sot përfaqësuesi i vetëm dhe më i denjë i së djathtës. Dhe nuk është përfaqësues i së djathtës vetëm pse e pretendon këtë gjë. Por është me një projekt konkret, e natyrisht Partia Demokristiane gjithashtu ka një projekt konkret. Është evident dhe lehtësisht i perceptueshëm niveli mjeran i mbështetjes për dy partitë kryesore. Pse ka ndodhur kjo gjë? Ka ndodhur sepse asnjëra prej dy partive nuk e ka vënë vendin në shina, pasi duke qenë të vetme në fushën e lojës për vite me radhë, kanë pasur luksin të gabojnë në vazhdimësi pa u përgjigjur asnjëherë për pasojat. Partia Demokristiane është një parti e djathtë, që për njëfarë kohe lidhi koalicion qeverisës me Partinë Demokratike. Por, të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë se Partia Demokristiane e ka kundërshtuar hapur qeverinë, edhe pse në koalicion me të, për çështje të rëndësishme që lidhen me shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit. Janë një numër i madh ligjesh për të cilat Partia Demokristiane ka lobuar haptazi në kundërshtim me politikat e qeverisë. Natyrisht, objektivi ynë, apo qëllimi në vetvete, nuk ka qenë që t’i hapnim punë qeverisë, por ama kemi besuar se mbrojtja e disa rregullave demokratike të lojës është shumë herë më e rëndësishme se një koalicion i dëshiruar i momentit. Pra, për këto arsye, Partia Demokristiane nuk ka përfaqësuar asnjëherë një forcë politike pa shtyllë kurrizore, përkundrazi, kemi luftuar për vlera të caktuara edhe atëherë kur askush nuk e pandehte. Rrjedhimisht, ndihem mirë që jam përfaqësues dhe ofertë e një force politike që ka shfaqur integritet dhe pavarësi në aktivitetin e saj. Mendoj se ky është një komponent shumë i rëndësishëm për një forcë politike. Megjithatë, mendoj se avantazhi i vërtetë i Partisë Demokristiane dhe i vlerave që ajo përfaqëson është programi i saj.

Meqenëse jemi te programi, a mund të na rendisni piketat kryesore ku ju e mbështetni këtë program?
Një nga pikat tona kryesore lidhet me të drejtën dhe shtetin ligjor. Vërejmë se ka mjaft probleme në ndërtimin e shtetit tonë të së drejtës, në funksionimin e institucioneve dhe në mënjanimin e krizave. Koalicioni “Poli i lirisë” në përgjithësi ka një plan për të mënjanuar përplasjet ndërmjet pushteteve, institucioneve kushtetuese, mënjanimin e krizave dhe përcaktimin me ligj të kompetencave të tyre për të rritur bashkëveprimin dhe kontrollin e ndërsjellë. Prandaj këto detyra duhen të jenë pjesë përbërëse dhe pa ndarë në një reformë me ato të Drejtësisë, që të hartohet e të miratohen së bashku e me konsensus. Funksionimi shteti të së drejtës ose mekanizmi që e vë atë në lëvizje përbëhet nga kompetencat e organeve të ndryshme shtetërore, përcaktimi më i saktë dhe i plotë i tyre, zbatimi i rreptë, njohja e tyre nga publiku, rishikimi tërësor i tyre, sidomos nga organet vendimmarrëse duhet të konsiderohet si një detyrë parësore. Më 28 qershor dy partitë e mëdha nuk ofrojnë qeverisje për qytetarët, por për liderët, për rrethet e ngushta, ortakët e biznesit, miqtë e familjen. Poli i Lirisë mbështet kërkesat e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin e viteve të burgut dhe të internimit. Poli i Lirisë, nëpërmjet një agjencie të posaçme qeveritare pranë kryeministrit, do të evidentojë gjithë detyrimin financiar që shteti shqiptar ka ndaj kësaj shtrese brenda vitit 2009 dhe do ta shlyejë brenda afateve të përcaktuar në ligj. Nëpërmjet programeve të veçanta do të mundësojë integrimin e kësaj shtrese në shoqërinë shqiptare. Ne konstatojmë se përfaqësuesit e kësaj shtrese janë pothuajse të përjashtuar nga institucionet shtetërore dhe vendimmarrja politike. Në Parlament, por edhe në institucionet e larta vendimmarrëse, ka shumë pak përfaqësues të kësaj shtrese shoqërore, që u sakrifikua dhe u persekutua në emër të lirisë dhe të të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Për zgjidhjen e çështjes se pronësisë në Shqipëri ende nuk janë zbatuar dispozitat kryesore të Kushtetutës së Shqipërisë. Ligjet e hartuara deri tani për çështjen e pronësisë nuk kanë qenë dhe nuk janë të standardeve europiane për faktin se nuk respektojnë të drejtën e pronësisë, origjinën e pronës, mënyrën e fitimit dhe të tjetërsimit të pronës, duke shkelur hapur detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta. Këtu është edhe dallimi kryesor mes vizionit tonë politik, projektit tonë politik dhe atyre që ofrojnë partitë e tjera politike. Këto janë dy shtyllat tona në rrafshin e reformave me një rëndësi kombëtare. Por ne gjithashtu kemi përcaktuar disa strategji konkrete edhe në mbështetjen e biznesit vendas. Njëra prej tyre është subvencionimi dhe minimizimi i taksave për turizmin e ofruar nga biznese të thjeshta familjare, por edhe për bizneset familjare, pra bizneset e vogla në përgjithësi. Kjo është një strategji që ne po e elaborojmë dhe do ta kompletojmë shumë shpejt. Ekonomia shqiptare ndodhet sot para vështirësive të mëdha. Klientelizmi dhe favorizimi i paligjshëm në marrëdhëniet me biznesin, thellimi i pabarazisë sociale, braktisja e zonave të varfra të vendit si dhe mosfunksionimi i institucioneve të tregut dhe konkurrencës, janë gjithashtu tipare pengesë të dukshme të kësaj situate. Rritja mesatare e raportuar nuk shoqërohet ende në rritje të mirëqenies së njerëzve. Pra nuk ka një kohezion të qëndrueshëm në rrafshin ekonomik, madje vërejmë se ka një abuzim dhe fryrje të shifrave, ku shifrat paraqiten si të tilla dhe askush nuk interpreton.

Zoti Ndoka, si e shikoni deri tani garën që po zhvillohet? Këtu e kemi fjalën jo vetëm për Tiranën, por për Shqipërinë në përgjithësi.
Përgjithësisht unë jam fokusuar në garën time elektorale dhe nuk kam pse ta fsheh faktin se të paktën personalisht kam shfrytëzuar çdo sekondë për të zhvilluar takime, për të zbatuar projektin tim elektoral në zonën time. Duke qenë përfaqësues i Partisë Demokristiane dhe Polit të Lirisë më duhet të them se tematikat dhe objektivat që kjo forcë dhe ky formacion politik ka rezultojnë absolutisht të ndjeshme këtu në kryeqytet. Nuk mund të ndodhë ndryshe kur në Tiranë jeton thuajse një e treta e popullsisë dhe është përqendruar pjesa dërrmuese e ekonomisë së vendit. Në këtë kontekst unë kam qenë thellësisht i angazhuar në promovimin e vlerave të programit të partisë dhe aspiratave të koalicionit si dhe në parashtrimin e projekteve të mia për zonën që përfaqësoj. Më vjen mirë kur konstatoj se ka një numër të konsiderueshëm simpatizantësh dhe njerëzish këtu në kryeqytet që ndihen vërtet të djathtë. Njerëz që kërkojnë të djathtën e vërtetë, pra atë rrymë politike që jo vetëm e ka të padiskutueshme sanksionimin e shtetit të së drejtës në terren dhe jo vetëm në letra, por ka të shenjtë dhe respektimin e pronës private. Për fushatën në përgjithësi do të thosha se në sferën publike ajo po zhvillohet kryesisht në frymën e Kodit Zgjedhor që miratuan në mënyrë arbitrare dy partitë e mëdha. Ndihet qartë prirja e dy partive kryesore për të eliminuar nga rrafshi mediatik dhe pasqyrimi i drejtë partitë dhe koalicionet që nuk u kanë shtrirë dorën atyre. Unë u jap të drejtë këtyre dy partive që veprojnë në këtë mënyrë, se duke parë se ku është Shqipëria sot, këto dy parti kanë vërtet arsye për t’u shqetësuar, sepse besimi i qytetarëve tek to është në kuotat minimale, për të mos thënë që në popull shumë përfaqësues të këtyre forcave politike janë objekt barcoletash tashmë. Por mua personalisht dhe koalicionin tonë në përgjithësi, nuk na tremb aspak ky terren amoral zgjedhor, pasi secili prej kandidatëve tanë kryen takime në terren, takime intensive, e mendoj se njerëzit janë të aftë të njihen dhe të perceptojnë mesazhet tona dhe me lehtësi të bëjnë diferencën mes dy forcave kryesore politike që kanë sjellë prej dy dekadash regres ekonomik, por dhe moral.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›