E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i KE-së dhe i Spanjës takojnë Presidentin Bamir Topi

Tiranë, 19 janar NOA - Presidenti i
Republikës, Bamir Topi priti sot Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në
Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës,
Manuel Montobio de Balanse me cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së
BE-së.

Dy diplomatët e lartë i prezantuan Kryetarit
të Shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle
dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.
Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë
në Bashkimin Evropian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare
dhe se ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet madhore dhe sfidat që duhet të
përballim për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate.

Kryetari i Shtetit u shpreh i bindur për
bashkëpunim të plotë me Presidencën spanjolle dhe delegacionin e BE-së në
Tiranë në synimin e përbashkët të përshpejtimit të procesit të integrimit të
Shqipërisë në familjen evropiane.

Në këtë kontekst, Presidenti shprehu
angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për vazhdimin
e luajtjes së rolit pozitiv dhe konstruktiv në rajon si dhe përmbushjen e
kushteve dhe standardeve që do të mundësojnë si liberalizimin e regjimit të
vizave, ashtu edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë bisedës, u diskutua gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u
përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e
dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave
jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës
në drejtësi.
Në këtë takim, Ambasadori Lohan dhe Ambasadori Montobio, pasi e njohën kreun e
shtetit shqiptar me programet dhe objektivat e ardhshme të Bashkimit Evropian,
sidomos pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimit të strukturave
të reja drejtuese, shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të
demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më
parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar.

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›