Bregu raport në mbledhje qeverie për ecurinë e Pyetësorit

Tiranë, 20 janar, NOA Çdo mbledhje qeverie tani
e tutje do të hapet me raportimin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu për
ecurinë e plotësimit të dokumentit të Pyetësorit të Bashkimit Evropian. Një
fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme
të qeverisë, duke i dhënë fjalën ministres Bregu të paraqesë ecurinë aktuale të
këtij procesi.
Eshtë përfunduar përkthimi i pjesës dërrmuese
të Pyetësorit, e 22 kapitujve të parë, të cilët janë në fazën e rishikimit. Kjo
në fakt përbën edhe draftin e parë të përgjigjeve që do të thotë se ato do të
rilexohen dhe rishikohen nga Komiteti Ndërministror i Integrimit, ka qenë
raportimi në fjalë i ministres Bregu për këtë çështje.
Më tej, ajo bëri me dijeni se janë identifikuar
në bazë të ministrive 28 ekspertë të pavarur, nga vendet më të mira të
Bashkimit Evropian dhe në fazën e dytë, do të angazhohen edhe ekspertë shqiptarë.
Integrimi përbën objektin numër 1 të kësaj
qeverie dhe është një nder i madh që ne sollëm vendin në këtë fazë përcaktuese
të integrimit, sikundër është edhe vlerësim i madh mbi reformat prej BE-së,
tha lidhur me një fakt të tillë Berisha.
n.e/NOA