Ambasadori i Kosovës, PS jep konsensus për Laukën
Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme pranon në unanimitet kandidaturën e Islam Laukës si ambasador në shtetin më të ri të Ballkanit në Kosovë. Socialistët kanë qenë pro kandidaturës së paraqitur nga qeveria si ambasador në Kosovë. E vetmja rezervë nga ana e socialistëve ka qenë mungesa prej kohësh e një diplomati në shtetin fqinj. "Për kandidaturën e zotit Lauka nuk kam absolutisht asgjë, për rëndësinë e Kosovës nuk kam absolutisht asgjë nga ato që thanë shokët, mbështesim dhe profilin e tij. Por ne përballë publikut nuk mund të bëjmë sikur s'ka ndodhur asgjë. Minimalisht, jo ministri, jo zëvendësministri, por sekretari i përgjithshëm që e ka ndjekur duhet të ishte prezent në mbledhje. Drejtoresha duhet të japë shpjegime se pse është paraqitur me kaq vonesë ky propozim", tha deputeti socialist, Kastriot Islami. Ndërsa kryekomisioneri Preç Zogaj ka fajësuar Ministrinë e Jashtme për vonesën e paraqitjes së kandidaturës. "Komisioni i Jashtëm dhe Ministria e Jashtme janë dy institucione të pavarura, por që bashkëpunojnë. Veprimi i njëanshëm i njërit institucion nuk është në favor të vetë atmosferës, klimës dhe të momentit të emërimit të ambasadorit", tha Zogaj. Lauka ishte propozimi i vetëm për këtë post që pas 28 shkurtit të vitit të kaluar, por u pezullua nga ana e qeverisë për paraqitjen e tij në mënyrë përfundimtare. Kjo ka shërbyer edhe si pjesë e debatit politik mes maxhoranxës dhe opozitës për mungesën e ambasadorit shqiptar, në momentet kruciale të Kosovës.