Nafta D2, tregtarët do të furnizohen nga ARMO
Fabiola Çela
Duke nisur nga ky vit nuk do të lejohet më importi i naftës D2 në vend, por do të lejohet vetëm shitja e D2-it që prodhohet nga kompania ARMO. Por kjo e fundit naftën D2 nuk do ta shesë vetë, por do të furnizojë tregtarët e tjerë të karburanteve. Qeveria i ka hapur dje dritën jeshile vendimit, me anë të të cilit i lejon kompanisë ARMO t'u shesë grosistëve naftën D2. Çmimi i shitjes do të jetë i orientuar drejt kostos si dhe do të bazohet nga kuotimi i D2-it në bursat ndërkombëtare.
Vendimi
Duke nisur nga 1 janari 2009, është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë i naftës D2 në tregun shqiptar, për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Por sipas një vendimi të miratuar dje nga qeveria, gjatë këtij viti do të lejohet të shitet vetëm nafta D2 që prodhohet në vend. Kompania prodhuese e naftës D2 "Armo", do t'ua shesë këtë produkt kompanive të tjera tregtuese të karburanteve. Sipas vendimit, çmimi i shumicës do të jetë i orientuar nga kostoja dhe niveli i çmimit të D2 në tregun rajonal. Pra, e thënë ndryshe, sasia prej 80 mijë tonë naftë D2 të prodhuara nuk do të lejohet t'i shesë vetë kompania "Armo", por detyrohet të bëjë marrëveshje kontraktuale me subjektet tregtare me shumicë. Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se nga data 1 janar i vitit 2010, nuk do të ketë më naftë D2 në qarkullim. "Në tregun shqiptar vinte kryesisht naftë D2 dhe shumë pak naftë D1. Shqiptarët nuk kanë pse të dënohen me squfur. Shqipëria sot, ndonëse nuk ka dalë nga problemet, nuk është kurrë ajo që ka qenë më parë. Prandaj ne kemi marrë një vendim shumë të drejtë. Kemi bërë një diferencim midis prodhimit vendas dhe atij të importit, por këtë e kemi bërë sepse çdo shtet, në një mënyrë apo tjetër, përpiqet të nxisë prodhimin vendas. Dhe kjo vetëm për një vit. Përtej 1 janarit 2010, në përputhje me vendimin nuk do të ketë në treg as edhe një litër naftë D2 në Shqipëri", u shpreh kreu i qeverisë Sali Berisha. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës, konsumi mesatar vjetor i produkteve të naftës është 420 mijë tonë, nga ku 340 mijë tonë janë nga importi dhe vetëm 80 mijë tonë prodhohen në vend. Ndërsa rreth 120 mijë tonë nga nafta e importuar janë naftë D1 dhe pjesa tjetër është naftë D2, e cila njihet si naftë e cilësisë së dobët dhe që përmban elementë ndotës. Kjo, pasi nafta D2 ka një përqindje squfuri nga 300 deri në mbi 2000 miligramë, përveç produkteve të tjera hekzogene.
Si do bëhet shitja e naftës nga ARMO
Çmimet e shitjes të negociuara nga ARMO dhe subjektet tregtare të licencuara për produktin gazoil (diezel) duhet që:
• Të jenë të orientuara drejt kostos së këtij produkti;
• Të reflektojnë luhatjet e çmimit për këtë produkt në tregun evropian të bursës dhe në tregun rajonal;
• Të respektojnë raportin e ndryshimit të çmimit ndërmjet produktit gazoil (diezel).
ARMO brenda datës pesë të çdo muaji duhet të raportojë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës dhe Autoritetit të Konkurrencës për:
• Sasinë e naftës bruto të blerë;
• Sasinë e prodhimit të realizuar nga rafinimi;
• Sasinë e tregtuar të produkteve të rafinimit;
• Çmimet e blerjes dhe të shitjes sipas kontratave të shitblerjes për këto produkte;
• Kushtet e tjera të tregtimit gjatë muajve paraardhës.
Dervishi pro ngrirjes së akcizës
Kreu i Doganave, Përparim Dervishi, është shprehur dje pro vendimit të Ministrisë së Financave për ngrirjen e nivelit të akcizës. Sipas këtij vendimi, niveli i akcizës për karburantet do të jetë 37 lekë për litër. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Dervishi, ky vendim do të ndihmojë në stabilizimin e tregut, pasi sipas tij çmimi i ulët i naftës në bursën ndërkombëtare nuk është i besueshëm dhe me shumë gjasa do të rritet sërish. Dervishi theksoi se ky vendim nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në çmimet e shitjes me pakicë të karburanteve. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë vitit të kaluar janë rritur zhdoganimet e karburanteve gati 15 mijë tonë më shumë, ose rreth 4.5 për qind më shumë se në vitin 2007. Të dhënat kanë treguar se kërkesa e konsumatorëve për karburant nuk ka pësuar rënie edhe në periudhën kur çmimi i arit të zi u rrit ndjeshëm.