Ambasadori i Kosovës, propozimi mbërrin dje në Presidencë
Kryeministri Sali Berisha ka dërguar zyrtarisht dje në zyrën e Presidentit Bamir Topi emrin e diplomatit Islam Lauka, si kandidat për ambasador në Kosovë. Mbërritja e këtij propozimi nga Kryeministri është konfirmuar edhe nga zyra e shtypit të Presidentit të Republikës. Propozimi vjen menjëherë pas përfundimit të vizitës së kreut të shtetit në Kosovë, i cili në një prononcim për "Top Channel" tha se çështja e ambasadorit do të mbyllej shumë shpejt. Pas kësaj deklarate, reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm, e cila ka dorëzuar zyrtarisht emrin dhe tani pret nga kreu i shtetit dekretimin e ambasadorit të ri. Emri i Islam Laukës vjen nga fusha e diplomacisë aktive dhe këtë e përcakton edhe CV-ja e tij profesionale. Lauka zotëron gjashtë kualifikime, si doktor i shkencave politike, grada personale diplomatike "Këshilltar", kurs diplomacie, kurs filozofie dhe pjesëmarrës në shumë konferenca. Ai mban edhe detyrën e drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, por krahas kësaj detyre, Lauka është edhe president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike. Për katër vite, 1991-1995, Islam Lauka ka qenë i emëruar në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë me gradën e sekretarit të parë, si dhe me pozicionin e të Ngarkuarit me Punë. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, për rusisht. Islam Lauka u shpall si përfaqësuesi i Tiranës zyrtare në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por që prej një viti, kryeqyteti i Kosovës nuk e ka ende diplomatin kryesor të Shqipërisë. Ky handikap është vënë re si nga opozita, por edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe nga analistët. Prishtina është kryeqyteti më i rëndësishëm për diplomacinë shqiptare, por ajo ka mbetur e papërfaqësuar, duke krijuar një precedent që vetë kreu i shtetit shqiptar e ka cilësuar si jo pozitiv. Në fakt, përveç Prishtinës, edhe disa nga kryeqytetet e rëndësishme botërore kanë mbetur pa ambasador, thjesht sepse qeveria nuk ka preferuar që të dërgojë emrat në Presidencë. Edhe diplomacia e ka pësuar kështu nga moskomunikimi dhe përplasja institucionale mes Presidencës dhe Kryeministrisë.