E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen në familje 15 fëmijë

"Pesëmbëdhjetë fëmijë me aftësi të kufizuara, të trajtuar për rreth dhjetë vjet nëpër qendra zhvillimi janë kthyer së fundmi në familjet biologjike", pohoi drejtori i përgjithshëm i SHSSH-it, Mihal Naço.

Sipas tij, largimi i kësaj kategorie sociale nga qendrat e zhvillimit, përveçse mundëson rimarrjen e tyre prej familjarëve dhe trajtimin si pjesë integrale e familjes së cilës i përkasin, ka krijuar edhe hapësira për frekuentimin e qendrave nga persona të tjerë me aftësi të kufizuara të moshave më të hershme. Trajtimi i kësaj klientele të re do t‘u krijojë fëmijëve me probleme mundësinë e zhvillimit, aftësimit dhe integrimit në veprimtaritë e përditshme jetësore. Fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen prej shumë vitesh në Qendrat e Zhvillimit për Persona me Aftësi të Kufizuara (PAK) dhe që ndërkohë nuk kanë marrë zhvillimin e duhur, konsiderohen një problem nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), i cili sinjalizon se shërbimi në këto institucione synon vetëm rehabilitimin dhe arsimimin e tyre. Ndërkohë, Drejtori Naço i bën thirrje familjeve biologjike që të largojnë kompleksin e turpit për të mbajtur mes tyre një fëmijë me paaftësi, si dhe ta konsiderojnë atë të barabartë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Si pjesë e integrimit të tyre në familje, vijoi Naço, është dhe trajnimi i prindërve të këtyre fëmijëve, për rritjen e kulturës profesionale dhe aftësive për t‘iu shërbyer të miturve në mënyrë sa më efektive, që puna e kryer në institucion të vazhdojë edhe në shtëpitë e tyre.
Gjatë vitit 2008, janë trajtuar 487 persona me aftësi të kufizuar. 338 prej tyre në institucione publike (79-ditore) dhe 149 në OJF-të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›