E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, Topit: Një ligj i ri për tokat

Mosdhënia e një zgjidhjeje përfundimtare e çështjes së pronës prej 18 vjetësh ka detyruar Presidentin e Republikës të presë dje në një tryezë drejtuesit e shoqatave të ish-pronarëve. Në këtë tryezë, e cila u zhvillua në ambientet e Pallatit të Brigadave, shqetësimi ka qenë i njëjtë për të dyja palët. "Njerëz me pushtet po zvarrisin zgjidhjen e çështjes së pronës në Shqipëri". Kreu i shtetit, por edhe drejtuesit e shoqatave të pronareve vlerësuan si të domosdoshme ndryshimin e kuadrit ligjor, me qëllim zgjidhjen e ngërçit të krijuar me pronat në vend. "Çështja e pronave në shumë raste mbahet peng në funksion të zbatimit të ligjit. Nuk flas për veprime ekstraligjore. Përsëris edhe një herë pozicionin, jam shumë rigoroz për pozicionin që kam për t‘ju referuar vetëm kuadrit ligjor, që ekziston në Republikën e Shqipërisë. Çështja nëse do të ketë ligj tjetër ose jo, nuk është një çështje që ka të bëjë me Institucionin e Presidentit. Ka të bëjë me vullnetin e partive, që krijojnë mazhorancë në Parlament për të bërë një ligj tjetër nëse ato e shohin të arsyeshme", është shprehur kreu i shtetit. Topi ka premtuar se si President do të inkurajojë institucionet kushtetuese, që të zbatojnë detyrimin që i vjen nga Kushtetuta dhe nga ligji. "Asnjë nga ju, tha Topi, duke iu drejtuar pronarëve, nuk kërkon zgjidhje të çështjes së pronës në kundërshtim me ligjin". Presidenti e ka vlerësuar si të papranueshëm faktin, që mbas 18 viteve, në një vend ku sasia e tokës është relativisht e vogël, të mos zgjidhet ky problem. Ai ka pranuar ashtu si edhe pronarët në fjalën e tyre, që ka shumë probleme me pronat, ka abuzime, ka korrupsion, mjaft çështje janë në proces, shumë të tjera mund të jenë objekt i investigimit, i denoncimit, që janë objekti i institucioneve të tjera që konsiderohen institucione të drejtësisë. Topi tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm, për t‘i dhënë fund çështjes së tranzicionit te pronësia. Kreu i shtetit u ka kërkuar pronarëve të mos reshtin, derisa problemi i tyre të gjejë një zgjidhje konkrete. Sipas tij, në Shqipëri do të funksionojë shteti i së drejtës. "Çështje që kanë të bëjnë me pronësinë, unë ju inkurajoj nga pozicioni im që ju t‘i ndiqni. Unë do të bëj pjesën time, që më takon si pozicion kushtetues, partitë politike kanë pjesën e tyre të rëndësishme. Pra Presidenti nuk merret me ndryshim legjislacioni, të jemi korrekt në komunikim. Edhe nesër do dalin të flasin prapë. Edhe nesër do të dalin nëpër gazeta, do të dalin, do të mundohen ta deformojnë frymën e këtij takimi. Nuk ka rëndësi! E rëndësishme është që ne të ruajmë komunikimin me publikun, për të ndërtuar shtetin e së drejtës, pastaj gjykimin e bën publiku", është shprehur kreu i shtetit. Për të, detyrimi i parë, që fillon për çdo funksionar, për çdo punonjës të shtetit është që të jetë real me deklarimin e pasurisë. "Kjo është shumë e rëndësishme. Dhe është në detyrimin e institucioneve, të medias që kemi përballë, që është shumë e rëndësishme, prandaj pranova që ta bëj këtë takim shumë të rëndësishëm, duke pasur gjatë gjithë kohës median, në mënyrë që gjërat të mos deformohen rrugës, por të ketë një transparencë absolute. Kur njerëzit nëpër pozicione janë korrektë, të gjitha gjërat shkojnë korrekt. Kështu që është e drejta juaj ta mbani gjallë këtë diskutim", theksoi Presidenti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›