E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa mbi lejen e qëndrimit, 200 euro propozimi i dytë

"Dëshironim t‘i bënim një ulje çmimi". Ky ka qenë komenti i ministrit të Punëve të Brendshme të Italisë, Roberto Maroni, lidhur me dekretin e amendamentit antikrizë të propozuar nga Lega e Veriut, e cila kërkonte pagesën prej 50 eurosh për të gjithë emigrantët që duhan të marrin, apo rinovojnë lejen e qëndrimit. Ky amendament nuk është pranuar deri tani nga qeveria. Dy ditë më parë, Maroni ka lexuar fjalë për fjalë propozimin për ndryshim në ligjin mbi sigurinë, i cili parashikon një taksë prej 200 eurosh për të gjithë ata që kërkojnë të pajisen me leje qëndrimi apo që duan ta rinovojnë atë.

"Ky është një amendament që mazhoranca e ka shkruar, mbështetur dhe votuar në draftin e ligjit mbi sigurinë, i cili do të diskutohet të martën në Senat", u shpreh ministri. "Me thënë të drejtën, jam pak i habitur nga polemikat. Lega ka dashur vetëm të përshpejtojë dekretin që e tërë mazhoranca ka përkrahur. "Dëshironim të bënim një ulje çmimi", përfundoi ministri, mes duartrokitjeve. "Nuk pranuan 50 euro? Do t‘i kthehemi diskutimit për 200". Duke mbetur te çështja e emigracionit, Maroni ka mbledhur duartrokitje të tjera, ndërsa deklaronte se: "2009 do të shënojë fundin e zbarkimeve klandestine në Lampedusa". Pas njoftimeve për zbarkime të reja, ministri ka konfirmuar se kush mbërrin në Lampedusa do të qëndrojë në ishull dhe nuk do të transferohet në qendra të tjera të Italisë.

Ministri ka shpjeguar se për sa i takon mbipopullimit të burgjeve, janë propozuar si zgjidhje; dënimi me burgim të përjetshëm, ndërtimi i burgjeve të reja. Alternativa e dytë mendohet të jetë ajo që do të ndiqet. "Në Lampedusa do të ngrihen struktura të reja", ka përfunduar ministri.

Për sa i takon propozimit të Legës së Veriut, ka ngjallur polemika dhe diskutime mes përfaqësuesve të partive të ndryshme, por reagimin më të ashpër e ka dhënë Presidenti Gianfranco Fini.

Propozimi pritet të diskutohet sot në Senat, ndërkohë që Fini ka kërkuar maturi dhe rishikim lidhur me detyrimet që propozon Lega e Veriut për emigrantët. Pagesa e 50 eurove për t‘u pajisur me leje-qëndrimi apo për të kryer rinovimin e saj, si dhe dhënia e garancisë në formën e "ngrirjes" së parave në llogari bankare, prej 10 mijë eurosh për emigrantët, të cilët duan të jenë sipërmarrës, është konsideruar demagogji, diskriminim i shoqëruar me nota raciste.

"Uroj, ka thënë Gianfranco Fini, që mazhoranca të reflektojë para se të marrë vendime, të cilat nuk kanë të bëjnë me luftën kundër emigracionit klandestin. Në mënyrë objektive, është diskriminuese për pjesën e emigrantëve të rregullt, të cilët aktualisht punojnë në territorin tonë". Amendamenti i dekretit "antikrizë" është propozuar në Komisionin e Ekonomisë nga anëtari i Legës Claudio D‘Amico. Ndërsa Fini nuk e ka përkrahur një propozim të tillë, duke kërkuar "rishikim", mazhoranca është ndarë mes atyre që e përkrahin nismën e Legës dhe të tjerë që e kanë kritikuar këtë duke qëndruar larg një propozimi të tillë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›