E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa malajziane për Master dhe Doktoraturë

Në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Teknik me Malajzinë (MTCP), qeveria malajziane ofron për shtetasit shqiptarë 2 (dy) bursa për studime universitare ose pasuniversitare në fushat teknike, për vitin akademik 2009-2010. Bursa për studime pasuniversitare e nivelit Master është 12-14 muaj dhe për Doktoraturë-PhD 36-mujore.

Aplikantët duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë të Drejtorisë së Menaxhimit të Përditshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, brenda datës 30 janar 2009 disa dokumente. Për studime universitare: dëftesën e shkollës së mesme, ose vërtetimin e notave të tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Këto dokumente duhet të jenë të firmosura nga Drejtoria Arsimore e Qarkut, ose nga Zyra Arsimore e rrethit përkatës; Kërkesën për studime, ku të specifikohet dega në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë; Certifikatën e njohjes së gjuhës angleze (certifikatën e TOEFL-it ose të IELTS-it); Raportin mjekësor për aftësi për studime; Certifikatën e lindjes me fotografi. Ndërsa për studime pasuniversitare: Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën dëshiron të studiojë; Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar; Certifikatën e njohjes së gjuhës angleze (certifikatën e TOEFL-it ose të IELTS-it); Listën e notave, fotokopjen e noterizuar; Dy rekomandime; Programin e studimit; Raportin mjekësor për aftësi studimesh; Certifikatën e lindjes me fotografi (kandidati duhet të jetë jo më shumë se 45 vjeç); dy fotografi. Të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga pala malajziane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›