E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket nga Qendra e Linzës vajza 15 vjeçe

 

TIRANE - Zhduket nga Qendra e Rehabilitimit të Viktimave të Trafikut, vajza 15-vjeçare nga Maliqi i Korçës. Ngjarja ka ndodhur të martën në mbrëmje në qendrën e rehabilitimit që ndodhet në Linzë, në periferi të Tiranës. Adoleshentja Anxhela Kaçellari, ka braktisur të martën në mbrëmje vendin ku banonte prej rreth 15 ditësh, pasi ishte larguar nga familja e saj në Korçë. Vajza përveç familjes ka braktisur edhe mundësinë e saj për t’u rehabilituar, në një qendër të specializuar për trajtimin vajzave të moshës së saj, që në shumicën e rasteve janë viktima të trafikut. Por në rastin e saj, edhe pse nuk bëhej fjalë për trafik, ishte i nevojshëm rehabilitimi për ta bindur që të kthehej pranë familjes. Sipas burimeve zyrtare nga Komisariati Nr.4 i policisë, aty ku është denoncuar zhdukja e vajzës, 15-vjeçarja ka dalë të martën nga qendra bashkë me njërën nga psikologet dhe nuk është kthyer më. Sipas policisë, që ka marrë në pyetje psikologen, e cila ka parë për herë të fundit adoleshenten, ato të dyja kanë dalë bashkë në qendër të Tiranës, më pas Anxhela Kaçellari ka preferuar të ndahet me punonjësen e qendrës që të shëtisë vetëm. Më pas psikologia është kthyer, ndërsa vajza rezulton e zhdukur që prej momentit kur është ndarë me të. Policia po heton disa pista në lidhje me largimin e vajzës. Një prej versioneve të hetimit është largimi me dëshirë, si dhe mundësia që vajza të jetë mashtruar me qëllim për t’u trafikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›