E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Luan Hoxhës, shtyn gjyqin e Gërdecit

 

TIRANE – Gjyqtari Ridvan Hado u detyrua të shtyjë dje seancën gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve të dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. E caktuar për të nisur në orën 10:00 të ditës së djeshme, seanca në ngarkim të të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec, nuk është zhvilluar. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e mbrojtësit ligjor të njërit prej të pandehurve të dosjes. Në seancën e djeshme pritej që të dëgjohej vendimi i ndërmjetëm i gjykatës për kërkesat paraprake të bëra nga palët një seancë më parë. Por gjatë prezantimit të palëve, është vënë re mungesa e avokatit mbrojtës të të pandehurit Luan Hoxha. Në të tilla kushte, gjykata ka caktuar një pritje disaminutëshe. Por edhe pas përfundimit të këtij minutazhi, as avokati dhe as klienti i tij nuk janë paraqitur në seancë. Ndërkohë togat e zeza zëvendësuan avokatin me një mbrojtëse kryesisht dhe caktuan të mërkurën e ardhshme si datë të seancës së radhës. Sokol Gjeci ishte i vetmi i pandehur i arrestuar i pranishëm në sallë. Tre të arrestuarit e tjerë, Mihal Deliorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari, përfaqësoheshin në mungesë nga avokatët e tyre. Në seancat e mëparshme pranë treshes gjykuese janë depozituar kërkesat paraprake të palëve, për të cilat gjykata ende nuk është shprehur me vendim. Kërkesat e artikuluara nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, si edhe nga vetë të pandehurit e pranishëm në seancat e kaluara, përqendrohen në pavlefshmërinë e disa prej akteve të dosjes. Ndërsa i pandehuri Agim Lala ka kërkuar gjykim me kohë të shkurtuar.                                                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›