Ambasadori i SHBA-ve, tek Krimet e Rënda
Video-konferenca
TIRANË- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers vizitoi paraditen e djeshme Gjykatën e Krimeve të Rënda. Video -konferenca e dhuruar nga ambasada, që kap vlerën e rreth 45 mijë eurove ishte edhe arsyeja e vizitës së ambasadorit në gjykatë.Zyra e ambasadorit në Tiranë, këtë vizitë një orëshe e kishte planifikuar ta kryente pa ndonjë pompozitet, siç ndodh rëndom nëpër përurime investimesh të qeverisë apo institucioneve shqiptare. Gjatë takimit një orësh në zyrën e kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, Ambasadori Withers kërkoi të dinte ecurinë e kësaj gjykate dhe vështirësitë që ajo ka, duke shprehur gatishmëri për të ndihmuar në prioritetet e kësaj gjykate. Sipas burimeve nga ky takim, mësohet se ambasadori Withers ka vlerësuar punën e 16 gjyqtarëve të këtij institucioni, duke përgëzuar për rezultatet e arritura dhe emrin e mirë të krijuar në opinion në lidhje me dhënien e drejtësisë. Gjithashtu, në fund të takimit shprehu gatishmërinë për ndihmën e mëtejshme në projektet dhe prioritetet e kësaj gjykate. Mësohet gjithashtu se një pjesë të objektit të diskutimit ka zënë edhe reforma në drejtësi, ku Simoni ka parashtruar prioritete që kjo reformë duhet të kapë si dhe reformën penale dhe forcimin e kapaciteteve të infrastrukturës.