Padia kundër Alibeajt shkon në Gjykatën e Lartë
Gjyqtari: Është kompetencë e Gjykatës së Lartë të vendosë mbi njerëz me imunitet
TIRANË- Gjykata e Tiranës vendosi të veçojë padinë e shtetases Rudina Murataj ndaj ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke ia kaluar për kompetencë Gjykatës së Lartë. Për padinë ndaj drejtoreshës së Shkollës së Magjistraturës, Ariana Fullani, kjo gjykatë ka vendosur të vazhdojë gjykimin, pasi 23- vjeçarja paditëse nuk ka hequr dorë në seancën e pajtimit. Gjatë seancës së djeshme, vajza që pretendon se i është mohuar shkolla e Magjistraturës për prokurore, ka kërkuar që çështja të kalojë në seancë gjyqësore pasi nuk pranoi të pajtohet me palët. Pas kësaj këmbënguljeje të vazhdimit të çështjes, gjyqtari Sokol Tona vendosi t'ia kaloi për kompetencë padinë ndaj ministrit Alibeaj, Gjykatës së Lartë, pasi ajo është kompetente për shqyrtimin e padive ndaj personave me imunitet. Sipas padisë, 22 –vjeçarja Rudina Murataj ka si objekt akuzën e "fyerjes" ndaj Alibeajt, të cilit kërkon t'i marrë si dëmshpërblim 500 mijë lekë të reja, ndërsa padia tjetër civile me objekt "cënimi i të drejtës për arsimim" ka si masë dëmshpërblimi 5 milionë lekë të reja. Sipas padisë së depozituar në gjykatë, 22 -vjeçarja pretendon se është fyer nga ministri Alibeaj me fjalët "ti nuk je e aftë të bëhesh prokurore". Për këtë fjali, ai akuzohet për fyerje, ndërsa Fullani është denoncuar nga juristja se nuk është treguar transparente. "Ajo nuk më ka dhënë testin e konkursit, duke shkelur të drejtën time për informim, ndërsa lajmëroi grupin e gatshëm të policisë për të më larguar nga shkolla",-thotë Murataj në padinë e saj.