E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zenelaj në KLD, "digjet" Rustem Gjata

 
Miratohen mandatet e Guxim Zenelajt, Shkëlqim Mirit dhe Dhurata Haverit. Spahiu: Kuvendi të zgjedhë vetëm një anëtar
I zgjedhuri nga Kuvendi në vitin 2006, pranohet nga KLD. Deputetët, tani votë vetëm për një vend
TIRANË- Në kohën kur pritej që Kuvendi i Shqipërisë të zgjidhte dy anëtarë të KLD-së, këshilli mandatoi dje të votuarin e para 17 muajve, juristin Guxim Zenelaj. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë votuan dje për Zenelajn, duke e bërë atë anëtarin më të ri të këtij institucioni. Me mandatimin e Zenelajt si anëtar i KLD-së, maxhorancës iu dogj njëri nga dy kandidatët e propozuar për në këshill. E sipas gjasave, duket se kandidati Rustem Gjata e ka tashmë të humbur betejën e mëtejshme për t'u votuar nga deputetet e Kuvendit, pasi ishte më i përfoluri nga opozita dhe disa nga aleatët e djathtë të cilët janë në koalicion me mazhorancën. Sipas burimeve zyrtare pranë KLD-së mësohet se: "Guxim Zenelaj, në korrik të vitit 2006 mori 71 vota të deputetëve të Kuvendit, duke u zgjedhur anëtar i KLD-së. Asokohe, ishin anëtarët e tjerë që nuk e pranuan në mesin e tyre, me pretendimin se nuk iu kishte mbaruar mandati Pranvera Starakoshës dhe Sokol Çomos".
***
Me mbarimin e mandatit të dy anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, Partia Demokratike filloi propozimin e emrave për në vendet vakante, duke bërë publike emrat e Alfred Karamuçës dhe Rustem Gjatës, ndërkohë nga partitë e vogla të majta e të djathta propozuan emrin e avokatit Maksim Haxhia, ndërsa nga Partia Socialiste është propozuar kandidatja Zana Tartare. Atëherë kur pritej që emrat e tyre të shqyrtohen nga Komisioni i Ligjeve, para se të kalojnë në Parlament për votim, Guxim Zenelaj dha dorëheqjen nga Avokati i Shtetit, për të marrë postin e fituar me votë që në 2006. Gjatë mbledhjes së djeshme, që zgjati rreth6 orë, anëtarët e KLD-së vendosën të mandatojnë Zenelajn dhe dy anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore, Shkëlqim Mirin dhe Dhurata Haverin. "Këshilli, pasi dëgjoi raportin e Komisionit të Verifikimit të mandateve vlerësoi se zgjedhja e tre anëtarëve të rinj, Guxim Zenelaj, Shkëlqim Miri dhe Dhurata Haveri është bërë konform kërkesave të nenit 10 të Ligjit organik të Këshillit të Lartë të Drejtësisë",- thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.
***
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, pas mandatimit të dy kandidatëve të zgjedhur nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore njoftoi se është miratuar edhe mandati i kandidatit të votuar në korrik të 2006, Guxim Zenelaj. "Ne i kërkojmë Kuvendit të sjellë vetëm emrin e një kandidati",-tha dje për median, Kreshnik Spahiu. Ai nuk sqaroi kohën kur i mbaron mandati Zenelajt, nisur nga votimi i tij në Kuvend në vitin 2006, ndërsa komentoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet tashmë ngaanëtarë të zgjedhurkonform ligjit. Tashmë pritet që Kuvendi të zgjedhë anëtarin e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që mesa duket nuk do të jetë i shumëdiskutuari Rustem Gjata.
STRUKTURA
Dy gjyqtarë për të penduarit
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi në mbledhjen e djeshme që në krye të Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtësisë të emërojë dy gjyqtarë. "Pas propozimit të ardhur nga Ministria e Brendshme dhe shqyrtimit të kërkesës, Këshilli vendosi të caktojë si përfaqësues në Komisionin e Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Bashkim Dedja. Ndërsa, si përfaqësues alternativ kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, gjyqtarin Bujar Musta",-thuhet në njoftimin zyrtar. Gjithashtu, në vijim të mbledhjes u vendos në plotësim të vendeve vakante për kryetarë të disa gjykatave. U hap konkurimi për kryetarët e gjykatave të Pukës, Tropojës, Gjykatës së Apelit në Durrës dhe në Shkodër. F.V

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›