Ambasadori italian D’Elia: Shqipëria është shumë afër heqjes së vizave me vendet e BE-së
Shqipëria është shumë afër liberalizimit të vizave me BE. Këtë e ka konfirmuar ambasadori italian Saba D’Elia gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës, një prej rajoneve ku shteti fqinj është duke konkretizuar investime të rëndësishme në infrastrukurë dhe sektorin energjetik. Duke vlerësuar progresin që vendi ynë ka bërë në përmbushje të objektivave për integrim në familjen Evropiane D’Elia tha se Italia dhe ministri i saj i Jashtëm i saj Franko Fratini janë avokatët më të mirë të Shqipërisë në këtë proces. “Jemi ndër mbështetësit më të bindur të mundësive që ka Shqipëria për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, si mund të them avokatët më të mirë të saj. Flitet prej kohësh për prespektivën e liberalizimit të vizave. Ajo që mund të ripërsëris janë fjalët e ministrit të jashtëm Fratini, i cili në një vizitë pak muaj më parë në Shqipëri është shprehur qartë për heqje të regjimit të vizave”. Zgjedhjet tha D’Elia nuk janë vetëm një kusht teknik, por një standard për të cilin partnerët evropianë janë të bindur se Shqipëria do ta plotësojë, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm në përafrimin e saj me Unionin Europian. “Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve dhe fakti që ato ashtu si në të gjithë shpresojmë dhe jemi të bindur se do të jenë korrekte dhe transparente është një element që do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e objektivit që ka Shqipëria për t’u bërë sa më shpejt pjesë e familjes evropiane”. Ambasadori italian konfirmoi se Rruga Shkodër - Hani i Hotit me vlerë 30 milionë euro dhe zona industriale në Koplik janë dy prej projekteve që do të marrin udhë brenda këtij viti. Këto dhe projekte të tjera, e rendisin Italinë partnerin kryesor të Shqipërisë në investimet e huaja.
...