Përfaqësuesit e emigrantëve në Greqi shprehin mbështetje për qeverisjen e Berishës

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me drejtuesit e “Unionit kombëtar të shoqatave shqiptare“ në Greqi, i cili përmbledh rreth 50 shoqata shqiptare, duke përfaqësuar rreth 90 përqind të emigracionit shqiptar në Greqi. Drejtuesit e Unionit u shprehën se gjejnë një Shqipëri të ndryshuar, që bën të ndjehet krenar çdo shqiptar dhe u shprehën se dëshironin që eksperiencën dhe mundësitë financiare të krijuara gjatë këtyre viteve t’i investonim në Shqipëri që po prosperon dita–ditës. “Në këto katër vjet, - u shprehën ata - i keni ndriçuar pamjen Shqipërisë, duke çelur një faqe të ndritur në historinë e saj. Me këto ndryshime kolosale që po shikojmë, ne ndjehemi më krenarë se kurrë më parë në identitetin tonë shqiptar. Dëshira jonë është që të vazhdojë kjo mirëqeverisje dhe në të ardhmen. Të mbledhur rreth Unionit e quajmë obligim para atdheut dhe të ardhmes së fëmijëve tanë të bëhemi pjesë e këtij ndryshimi të madh ekonomiko-politik”. Ata falënderuan qeverinë shqiptare për kontributin në krijimin e një klimë miqësore dhe dinjitoze me shtetin fqinj, Greqinë. Kryeministri Berisha, duke i falënderuar për takimin, i kërkoi të përcillnin në familjet e tyre dhe shoqatave përshëndetjet dhe urimet më të mira për një jetë sa më të begatë. Kryeministri u shprehu falënderimet për kontributin e tyre, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm në miqësinë mes dy popujve. “Me mund, përkushtim dhe me djersë ju arritët të jeni tashme një faktor dinjitoz në zhvillimin e shtetit fqinj dhe një element i rëndësishëm në miqësinë midis dy popujve. Më erdhi shumë mirë, kur këtë ma përmendi në takimin e fundit dhe vetë Kryeministri Karamanlis. Angazhimi dhe solidariteti juaj ekonomik në këto vite tranzicioni demokratik ka qenë për shoqërinë shqiptare mjaft prekës dhe tepër ndihmues. Me këtë kontribut, ju jeni bërë pjesë e natyrshme e këtij ndryshimi të madh që ndodh në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri, duke i siguruar se tek qeveria shqiptare do të gjeni një mbështetje të plotë të kërkesave, aspiratave dhe projekteve tuaja. Kryeministri tha se Shqipëria ka arritur suksese strategjike mjaft impresionuese dhe detyra jonë në të ardhmen është që ky ndryshim të reflektojë dhe në aktivitetin dhe jetën tuaj. “Qeveria shqiptare, - tha Kryeministri - ka përgatitur të gjitha lehtësitë e mundshme fiskale e ligjore për lehtësimin, inkurajimin dhe transferimin e bizneseve dhe investimeve tuaja në vendlindjet dhe trojet tuaja në Shqipëri. Ne jemi vend mikpritës për të gjitha investimet e huaja, por më të gëzuar jemi, natyrisht, për iniciativat e bashkatdhetarëve tanë”. Ne, vazhdoi Kryeministri, do t’i çojmë më përpara përpjekjet e përbashkëta për arsimimin dhe ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës amtare tek fëmijët tuaj. Programeve plotësuese të gjuhës, ne do t’i shtojmë së shpejti qendrën e kulturës shqiptare, si dhe botimin e “Enciklopedisë së botës shqiptare”, që do të sjellë në çdo familje emigranti veç gjuhës, edhe historinë, gjeografinë dhe etnokulturën e popullit shqiptar. Kryeministri tha se përfaqësitë shqiptare do të kenë specialiste në çdo fushë të jetës, ekonomike, shoqërore dhe kulturore për të lehtësuar përpjekjet tuaja për qytetari e dinjitet. Shqipëria, - theksoi Kryeministri Berisha - po hedh e sigurt hapat e fundit drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, në mirëkuptim dhe me qeverinë greke po merr formë përfundimtare dhe kërkesa jonë për pajisjen e emigrantëve me pensione vjetërsie. Gjithashtu, qeveria është e angazhuar plotësisht të pajisë gjithë shtetasit e vet, kudo që ndodhen, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, duke i dhënë një shans lëvizjes tuaj të lirë në hapësirën shqiptare dhe europiane. Kryeministri Berisha tha se në të ardhmen e afërt qeveria shqiptare, në akord politikisht me opozitën do të vlerësojë të gjitha mundësitë tekniko-ligjore për të realizuar edhe pjesëmarrjen e emigranteve në procesin elektoral, duke përmbyllur kështu një cikël politik të nevojshëm e dobiprurës për gjithë përfshirjen e shqiptarëve në politikë.
...