Stjuart Xhons Berishës: Vlerësoj ndryshimin e madh që ka përjetuar Shqipëria
Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Stuart Jones i solli kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të sekretares së Shtetit, Hillari Klinton, si dhe vlerësoi shndërrimin e Shqipërisë në një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon
Kryeministri Berisha priti sot në takim Zëvendës/ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Stuart Jones. Kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, i shprehu Zëvendës/ndihmës Sekretari Jones mirënjohjen më të thellë për Presidentin Obama, Sekretaren e Shtetit Clinton dhe administratën e Presidentit Obama, por dhe administratën e Presidentit Bush, për përkrahjen e jashtëzakonshme dhe mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë Shqipërisë për realizimin e projektit madhor kombëtar, anëtarësimin në NATO, duke e cilësuar këtë anëtarësim si ngjarjen historike më të madhe, pas pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht, përmes Zëvendës/ndihmës Sekretarin Jones, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleatin më të madh e strategjik të shqiptarëve, pa përkrahjen e të cilit nuk do të ishte bërë i mundur ky anëtarësim. Zëvendës/ndihmës Sekretari Jones, pasi e falënderoi përzemërsisht për pritjen dhe i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Sekretares Clinton, vlerësoi ndryshimin e madh që ka përjetuar Shqipëria, si dhe faktin që tashmë Shqipëria është një faktor i rëndësishëm kontribuues në paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë, në veçanti kontributin që Forcat e Armatosura Shqiptare po japin përkrah aleatëve të tyre amerikanë dhe të NATO-s në Afganistan. Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha e garantoi Zëvendës/ndihmës Sekretarin Jones se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar zgjedhjet më të mira në Shqipëri, që plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e informoi zotin Jones se qeveria shqiptare ka ndërtuar infrastrukturën zgjedhore më moderne e të sigurt, si kartat e identitetit, regjistrin civil elektronik të shtetasve, etj.. Në takim u diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me rajonin tonë. Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Zëvendës/ndihmës Sekretarin Jones për kontributin vendimtar e të jashtëzakonshëm të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, si zgjidhja e vetme që garanton paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
...