Ambasadori kinez: Nxitje marrëdhënieve me Shqipërinë
Kina është shumë larg nga Shqipëria, por midis dy popujve tanë ekziston një miqësi e thellë tradicionale. Gjatë 60 viteve të shkuara marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë kaluar prova të ndryshimit të epokës dhe situatës ndërkombëtare, duke u konsoliduar dhe zhvilluar vazhdimisht. Pikërisht këtë fakt vuri dje në dukje ambasadori kinez në Tiranë z. Wang Junling gjatë vizitës në Muzeun Historik Kombëtar, ku u hap ekspozita me dizenjime grafike kineze. Në ceremoninë e hapjes, përveç mjaft personaliteteve në fushën e diplomacisë dhe kulturës, morën pjesë edhe ambasadori Kinez, z. Wang Junling dhe ministri i TKRS, z. Ferdinand Xhaferri. “Kina dhe Shqipëria po bëjnë bashkëpunim të mirë edhe në fushën kulturore, arsimore, sportive, radiotelevizive dhe në marrëdhëniet diplomatike shumëpalëshe. Kina i kushton rëndësi miqësisë tradicionale me Shqipërinë duke konsideruar si shumë të rëndësishëm zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare”, - tha z. Junling. Më pas, e mori fjalën ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferri, i cili shprehu vullnetin pozitiv të qeverisë dhe veçanërisht të Kryeministrit Berisha, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe për shkëmbimet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. Pas ministrit Xhaferri, e mori fjalën drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Luan Malltezi, i cili e vlerësoi ekspozitën si vetëm një aspekt të mrekullueshëm të kulturës së lashtë e të madhe Kineze. Më pas, ai i ftoi të pranishmit të ndiqnin nga afër e të shijonin ekspozitën.