E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU, Idrizi: Çështja çame të pasqyrohet në tekstet shkollore



Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, shprehu dje shqetësimin se çështja çame nuk është e pasqyruar në tekstet e historisë në shkolla dhe premtoi se dy deputetët e kësaj partie do të lobojnë me të gjitha mjetet që çështja çame të trajtohet ashtu siç duhet. “Në librat shkollorë ka pamjaftueshmëri të përfshirjes dhe trajtimit të çështjes çame, çka për ne është e patolerueshme”, - tha Idrizi në konferencën organizuar dje në Vlorë, me temë “Historia e Çamërisë në sistemin arsimor shqiptar” të organizuar nga Partia Drejtësi dhe Unitet, në bashkëpunim me shoqatën “Çamëria”. “Ne do të lobojmë me të gjitha mjetet dhe drejt të gjitha institucioneve, që çështja çame të trajtohet ashtu siç i takon dhe ashtu siç e meriton në të ardhmen”, - theksoi Idrizi. Në këtë aktivitet, akademiku Beqir Meta referoi temën “Politika e fuqive të mëdha ndaj Çamërisë”, ndërsa analisti Mentor Nazarko, temën “Probleme të legjislacionit lidhur me pronësinë e shqiptarëve në Greqi”. Z. Enver Kushi foli për kulturën çame, traditat dhe vlerën e saj origjinale. Në seancën e dytë të aktivitetit, prof. dr. Pëllumb Xhufi, referoi temën “Çamëria si faktor i ndërgjegjes dhe i shkollimit ndërkombëtar”, ndërsa drejtori i Institutit të Studimeve për Çamërinë, z. Ahmet Mehmeti, mbajti referatin “Legjislacioni grek për spastrimin me dhune të minoritetit etnik shqiptar në Çamëri”. Ky aktivitet është organizuar në sallën “Petro Marko”, në qytetin e Vlorës, me organizim të përbashkët ndërmjet Partisë Drejtësi dhe Unitet dhe shoqatës “Çamëria”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›