E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e PS-së, Topalli: Rama del në shesh kundër vizave



Shqipëria ndodhet në momentin më të mirë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ky është konstatimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila priti dje në Tiranë kryetaren e Kuvendit të Islandës, Asta Johannesdottir, vizitë që bëhej për herë të parë në vendin tonë. Në këtë vizitë, dy kryetaret diskutuan gjerësisht për procesin e reformave, bashkëpunimin dhe integrimin në BE. “Shqipëria është në një ndër momentet e saj më të mira, moment në të cilin asaj i është pranuar kërkesa për statusin e vendit kandidat. Shumë shpejt të gjitha institucionet do të fillojmë t’u përgjigjen pyetjeve që do të na vijnë. Jemi në një moment optimist, si asnjëherë tjetër më parë. Së shpejti në muajt e ardhshëm do kemi heqjen e vizave. Është një moment shumë i veçantë për Shqipërinë, kur e gjithë bota është në krizë financiare, ndërsa ne vazhdojmë të kemi një rritje ekonomike”, - deklaroi Topalli në konferencën e përbashkët për shtyp. Kryetarja e Kuvendit tha se i kërkoi kryetares së Parlamentit të Islandës që të nxiten investitorët e vendit të saj për të eksploruar mundësitë e jashtëzakonshme, të shumta të një prej momenteve më të mira të ekonomisë, si dhe në fushën e energjitikës, turizmit apo në fusha të tjera. “Gjeta të gjithë gatishmërinë për të pasur shkëmbime ndërparlamentare, për të bashkëpunuar në çdo proces integrues. Natyrisht e falënderova fort për ndihmën që Parlamenti i Islandës i ka dhënë Shqipërisë, kur ka votuar për Protokollin e NATO-s”, - tha Topalli. Pyetjes nga gazetarët për protestën e sotme të opozitës, kryetarja e Kuvendit iu përgjigj: “Për mua është thjesht një protestë kundër heqjes së vizave”. Në këtë konferencë, kryetarja e Parlamentit të Islandës tha: “Jam informuar në lidhje me reformat gjithëpërfshirëse që janë ndërmarrë në Shqipëri. Jam e bindur se anëtarësimi juaj në NATO dhe tashmë procesi drejt anëtarësimit në BE do të nxisë reformat e mëtejshme në vendin tuaj”. Ajo tha më tej se si Shqipëria edhe Islanda, kanë aplikuar këtë verë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në takimin kokë më kokë, dy kryetaret diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin parlamentar dhe ekonomik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›