Integrimi, Spanja mbështet axhendën shqiptare
Kryesuesja e Presidencës së Bashkimit Evropian në 6-mujorin e parë të vitit 2010, Spanja, do të mbështesë axhendën e integrimit të Shqipërisë. “Spanja do të jetë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE”. Ky ishte mesazhi që i përcolli kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendëspresidenti i parë i Senatit të Spanjës, Isidre Molas. Ai siguroi kryetaren e Kuvendit për orientimin dhe ndihmën që shteti i Spanjës do t’i ofrojë Shqipërisë në këtë proces integrimi, për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Integrimi i Shqipërisë do të jetë në axhendën tonë të përbashkët gjatë kryesisë së radhës në BE, në janarin e vitit të ardhshëm”, - tha Molas më tej. Topalli informoi më tej personalitetin spanjoll me reformat e Shqipërisë. Duke folur për situatën ekonomike e politike në vend, kryetarja e Kuvendit veçoi stabilitetin makroekonomik, me tregues ambiciozë, në kohën kur vendet e tjera janë përfshirë nga pasojat e krizës globale. Senatori spanjoll, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për vizitën në Shqipëri, vlerësoi progresin e arritur dhe tha se periudha e negociatave me BE-në është esenciale. Kryetarja e Kuvendit ftoi biznesin spanjoll për të investuar në Shqipëri, në energji, turizëm apo infrastrukturë, duke theksuar se investimet në këtë vend janë investime të rëndësishme për vetë të ardhmen e rajonit. Topalli shprehu mirënjohje edhe për çmimin “Princi i Asturias”, që Spanja i akordoi shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare.