E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, s’ka krizë, koalicioni qeverisës funksional



Shumë zhurmë për asgjë. PDK-ja, e cila vetëm mbrëmjen e së enjtes tha se do ta rishqyrtojë koalicionin me LDK-në, dje njoftoi se do të vazhdojë koalicionin. Në një komunikatë të shkruar thuhet se kjo parti mbetet e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtet-ndërtimit. Partneriteti i koalicionit në nivel qendror mbetet i konsoliduar, i pacenueshëm dhe funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. PDK thotë më tej se do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtet-ndërtimit dhe unitetit në prag të rishqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në të njëjtën kohë përgjigjet edhe LDK-ja, e cila thotë se do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti në nivel qendror e që është e rëndësisë parësore për funksionimin e institucioneve qendrore shtetërore të Republikës së Kosovës, Presidencës, Parlamentit dhe qeverisë, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin. E gjithë zhurma rreth mundësisë së prishjes së koalicionit ndodhi gjatë natës së shkuar dhe shkas u mor lidhja e një koalicioni në nivel lokal ndërmjet LDK-së dhe AAK-së, në qytetin e Prizrenit. PDK-ja, e cila udhëheq me qeverinë, konstatoi se LDK-ja nuk i është përmbajtur një marrëveshjeje që të dyja partitë të garojnë të vetme në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›