Kuvendi: 140 pasaporta diplomatike për deputetët dhe gratë e tyre
Në bazë të statusit, deputetët dhe gratë e tyre mbajnë pasaportën diplomatike minimalisht 7vjet, ndaj kjo është koha kur ata do ta rinovojnë këtë dokument. Administrata e Kuvendit ka lëshuar një njoftim, i cili u është drejtuar deputetëve shqiptarë dhe u kërkon të dorëzojnë pasaportat e tyre. Sipas njoftimit, deputetët do të pajisen me pasaportat e reja diplomatike, të cilat do të jenë dixhitale dhe me çip informacioni, ashtu siç e kanë edhe qytetarët e thjeshtë. Deputetëve u është kërkuar që të paraqiten në Ministrinë e Jashtme.
Deputetëve u është kërkuar pasaporta diplomatike, jo për t’i kthyer në qytetarë të zakonshëm, por për t’i pajisur me pasaporta të reja biometrike. Administrata e Kuvendit ka shpërndarë një njoftim për deputetët e Kuvendit, ku u kërkohet që të depozitojnë pasaportat e tyre diplomatike. Në këtë njoftim zyrtar, administrata u ka lënë fundin e vitit si afat deputetëve për të dorëzuar pasaportat. Po në të njëjtin njoftim, deputetëve u kërkojnë që të dorëzojnë një certifikatë familjare. Ata duhet të shkojnë në Ministrinë e Jashtme për të tërhequr pasaportat e reja diplomatike. Ato do të jenë dixhitale, ashtu siç i kanë marrë edhe qytetarët e tjerë.
Por krahas deputetëve, edhe bashkëshortet e tyre, kanë të drejtën e përfitimit të kësaj pasaporte. Njoftimi bën me dije se paraqitja e certifikatës familjare ka si qëllim për të verifikuar nëse deputeti është i martuar. Nëse po, atëherë bashkëshortja e tij përfiton të njëjtat kushte si bashkëshorti i saj deputet.
Një lehtësi e tillë parashikohet në ligjin për statusin e deputetit. Referuar këtij ligji, deputetët dhe gratë e tyre kanë pasaporta diplomatike, çka udhëtojnë lirshëm në çdo vend të botës pa ndonjë procedurë ekstra. Statusi i deputetit përcakton se deputeti ka gjithnjë pasaportë diplomatike. Edhe në rast se ai nuk rizgjidhet, ligji i njeh të drejtën që ai të përdorë edhe tri vite të tjera pasaportën diplomatike. Statusi i deputetit përmban disa lehtësira. Deputetët që shkojnë me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfitojnë dietë ditore sipas akteve të miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai ftohet të marrë pjesë në delegacionet qeveritare, shpenzimet mund të mbulohen nga organi ftues. Deputetit dhe bashkëshortes së tij u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike gjatë kohës së kryerjes së mandatit, si dhe 3 vjet pas mbarimit të tij. Pranë çdo zone elektorale organet e qeverisjes vendore hapin zyra të veçanta pune për deputetët. Kryetari i Kuvendit, me pëlqimin e deputetëve, emëron në shërbim të deputetëve në këto zyra një sekretar, si rregull me arsim të lartë juridik, i cili pajiset me mjetet e nevojshme të punës. Fondet për nevojat e mësipërme përballohen nga Ministria e Pushtetit Vendor. Deputetit i njihet e drejta për t’u pajisur me numër telefoni dhe i garantohet shërbim telefonik i pandërprerë. Vlera e 700 impulseve të harxhuara për çdo deputet, 900 impulseve të harxhuara për zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe vlera e çdo impulsi të harxhuar për kryetarin e Kuvendit, përballohet nga buxheti i Kuvendit. Për sëmundjet që shfaqen gjatë ushtrimit të detyrës dhe kur personeli shëndetësor vlerëson trajtimin e tyre të specializuar, deputeti mund të dërgohet për kurim jashtë shtetit. Fondet për këtë qëllim sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë. Deputeti përfiton me përparësi të drejtën e strehimit ose i jepet kredi afatgjatë nga organet shtetërore përkatëse.