Rreziku i zgjedhjeve pa zgjedhje
Blendi Kajsiu
Të gjithë njësoj janë!”. Kjo shprehje përmbledh pak a shumë frustrimin qytetar me një proces politik që duket se prodhon gjithçka përveç alternativave. Për qytetarin e thjeshtë, politikanët dhe partitë kanë të njëjtin surrat, edhe pse fytyra të ndryshme. Kjo ndjesi shpesh është reflektuar në media tek denoncimi që mjaft analistë i kanë bërë politikës në emër të popullit. Megjithatë duke mbuluar dhe komentuar fenomenet politike, media ka kryer dashur apo padashur edhe diferencimin mes palëve në politikë. Ky proces shpesh është reduktuar tek theksimi i diferencave mes liderëve dhe karakterit të tyre, sepse në mungesë të vizionit politik apo ideologjik partitë politike janë formësuar gjithnjë e më tepër sipas kallëpit të lidershipit. PD-ja sot mbetet një pasqyrë e Berishës, ashtu si PS-ja dje ishte një pasqyrë e Nanos dhe sot po kthehet në një pasqyrë të Ramës. Gjithsesi media duke theksuar diferencat në karakter dhe stil mes liderëve të ndryshëm artikulonte edhe modele të dallueshme qeverisje.
Kështu dje ishte media ajo që mbi të gjitha artikulonte dhe theksonte diferencën mes modelit qeverisës Nano në pushtet dhe modelit Berisha në opozitë.
Nga njëra anë Nano dhe PS-ja portretizoheshin nga një stil qeverisës liberal, që theksonte më shumë bashkëpunimin dhe kooptimin, dhe që për pasojë prodhonte shumë korrupsion, por edhe një hapësirë të madhe demokratike dhe tolerance. Nga ana tjetër, Berisha në opozitë përfaqësonte stilin qeverisës autoritar, luftarak dhe pa kompromis, që nga njëra anë ngushtonte hapësirën demokratike, por nga ana tjetër reflektonte më shumë sinqeritet, vendosmëri përballë korrupsionit dhe më pak arrogancë në raport me qytetarin. Se sa reale ishin këto diferenca ka pak rëndësi. E rëndësishme është që ato artikuloheshin në media duke prodhuar dy alternativa të dallueshme, në raport me të cilat palët pozicionoheshin. Simpatizantët e PS-së theksonin më shumë dimensionin liberal dhe tolerant të modelit Nano, minimizonin aspektin korruptiv dhe theksonin autoritarizmin e modelit Berisha. Simpatizantët e PD-së nga ana tjetër theksonin aspektin korruptiv dhe antidemokratik të modelit Nano, ndërsa minimizonin dimensionin autoritar të modelit Berisha. Në këtë mënyrë media riprodhonte një hapësirë politike pluraliste, ku minimalisht krijohej iluzioni se mes palëve kishte diferenca reale dhe për pasojë edhe mundësi zgjedhje.
Sot mediat e kanë gjithnjë e më të vështirë ta kryejnë këtë funksion, për të paktën tre arsye. Së pari, PD-ja luftarake dhe konfrontuese e viteve të para të qeverisjes është kthyer tashmë gjithnjë e më shumë në PD-në kooptuese. Pavarësisht ndonjë shpërthimi të Berishës, stili aktual i qeverisjes së PD-së nuk është aspak i ndryshëm si në formë ashtu edhe në përmbajtje nga ai i PS-së dje në ekzekutiv apo sot në Bashki. Në të dyja rastet qeverisja në sytë e qytetarëve bazohet tek aferat, klientelizmi dhe korrupsioni. Pak rëndësi ka nëse këto fenomene janë reale apo jo, perceptimi është i tillë. Së dyti, pas ndryshimit të sistemit elektoral PD-ja dhe PS-ja ngjasojnë edhe më shumë nga mënyra e organizimit dhe funksionimit, ato janë parti të centralizuara me kryetar të fortë dhe një grup parlamentar të rreshtuar pas tij. Së treti, nata famëkeqe e 21 prillit, ku PD dhe PS së bashku ndryshuan Kushtetutën duke refuzuar referendumin popullor, tregoi se të dyja palët ndajnë një vizion të përbashkët të demokracisë, që përfshin futjen e presidentit dhe gjyqësorit nën tutelën e ekzekutivit. Në këtë aspekt në natën e 21 prillit, Partia Socialiste humbi kapitalin moral të opozitës si garante e demokracisë. Dhe ky është një kapital i rëndësishëm që bën diferencën me partinë në pushtet. Nga ana tjetër ajo tregoi se vizioni i saj për demokracinë është i njëjtë me atë të Berishës, të cilin e akuzon si diktator.
Natyrisht është e lehtë të kontrastosh Berishën me Ramën si individë. Simpatizantët e këtij të fundit mund të theksojnë se Rama është më i gjatë, më i ri, më trendi, më i artikuluar, më bashkëkohor dhe më i aftë se Berisha në qeverisje. Në një masë të mirë të gjitha këto janë të vërteta, është shumë më e lehtë të lexosh intervistat që Rama bën në media sesa artikulimin e rrëmujshëm të Berishës. Rama është një nga politikanët e pakët që ende mund të lexohet dhe dëgjohet. Problemi mbetet përmbajtja. Cili është programi konkret për arsimin? Për shëndetësinë? Është e qartë se këta sektorë janë në krizë, por si do zgjidhet thembra e Akilit të kësaj krize; skema e financimit? E thënë më shkurt, pyetja që kërkon përgjigje është; Përtej parullave modernizuese dhe evropiane, cili është modeli zhvillimor që ofron PS-ja?
Deri tani PS-ja ka ofruar Tiranën si model zhvillimi. Por suksesi i Tiranës është dëshmia më e qartë e dështimit të zhvillimit shqiptar. Zhvillimi i Tiranës buron nga përqendrimi i kapitalit dhe burimeve njerëzore në kryeqytet si pasojë e varfërimit të pjesës tjetër të vendit. Një tjetër shembull është Durrësi. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me xhepa zhvillimi që tërheqin dhe konsumojnë burimet financiare nga i gjithë vendi, por pa prodhuar mjaftueshëm burime shtesë me të cilat të zhvillohet pjesa tjetër. Qytete të tilla janë një miniaturë e Shqipërisë, që nëpërmjet remitancave konsumon të ardhurat që prodhohen jashtë saj, por nuk i shumëfishon këto të ardhura, ato ose derdhen në ndërtim ose në konsumin e importeve. Kjo nuk ia ul vlerat Ramës si kryebashkiak i suksesshëm, punëtor apo menaxher i zoti, arsye për të cilat qytetarët mesa duket e rivotuan si kryebashkiak. Dhe nuk është çudi që këto aftësi nesër të prodhojnë pak më shumë zhvillim sesa sot, por menaxhimi në mungesë të një vizioni politik dhe në prani të një demokracie të ngushtuar shumë shpejt reduktohet në klientelizëm stanjativ, situata në të cilën ne vegjetojmë sot. Në këtë aspekt modeli Rama ofron një diferencë sasiore, por jo cilësore nga modeli Berisha. Ai premton se do të bëjë më shumë sesa Berisha, ndërkohë që problemi është se gjërat duhen bërë jo më shumë, por më ndryshe.
Prandaj edhe pse të gjithë gazetarët dhe analistët kritikojnë qeverisjen Berisha, ata e kanë gjithnjë e më të vështirë të theksojnë diferencat parimore, politike apo programore të modelit të PS-së, i cili në thelb bazohet tek ideja se Rama është më efikas se Berisha. Përndryshe të dy modelet janë karakterizuar nga akuza për korrupsion dhe autoritarizëm. Ndërsa bashkëpunimi Rama – Berisha si në ndryshimin e Kushtetutës, ashtu edhe në sektorin e ndërtimit në Tiranë, tregoi se ata ndajnë një vizion të përbashkët për sistemin politik dhe ekonomik. Për pasojë pozicionimi me njërën apo tjetrën palë më shumë sesa parime nxjerr në pah preferenca apo luajalitete personale. Kjo e ka futur në ngërç debatin publik, ku të gjithë kritikojnë gjithçka, por nuk mbrojnë dot asnjë model. Vakumi gjithnjë e më tepër mbushet nga debati mes eksponentëve politikë të PS-së dhe atyre të LSI-së, që tashmë mund të luajnë me të drejtë kartën e opozitës parimore. Ama kjo e ngushton hapësirën mediatike dhe publike tek përplasja e eksponentëve politikë, duke e zbrazur nga debati publik në lidhje me alternativat qeverisëse. Në këto kushte ne rrezikojmë të shkojmë drejt një demokracie ku ka zgjedhje, por jo zgjedhje.