Rama kërkon marrëveshje me PD-në
Një tjetër dritë jeshile ndizet në oborrin e selisë së Partisë Socialiste, që i hap udhë rikthimit të deputetëve të saj në Kuvend. Këtë herë ka qenë vetë Edi Rama që ndryshe nga dy-tre ditë më parë ka mbajtur një qëndrim të hapur karshi dialogut, duke përkrahur projekt-raportin e Komitetit për Monitorimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Ai ka kërkuar hetim parlamentar me një komision hetimor, ku shumicën dhe kryesimin ta ketë Partia Socialiste. Një propozim ky që vinte dhe nga KiE, por që në të vërtetë i është ofruar nga Kryeministri Berisha disa muaj më parë, por PS e cilësoi diversion. Por para se të hyjë në Kuvend, Rama kërkon marrëveshje me PD-në. Ai e tha qartë këtë gjë: “Përsëris qëndrimin e palëkundshëm të opozitës për të mos u bërë pjesë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, deri ditën kur e drejta jonë kushtetuese e demokratike, për hetimin me themel të zgjedhjeve, nuk do të materializohet në një marrëveshje të negociuar mes palëve, e cila t’i hapë rrugë një komisioni hetimor parlamentar me shumicë e kryesim të opozitës e me asistencën dhe monitorimin përkatës ndërkombëtar”. Gjithsesi, deklarata e djeshme e kryetarit të PS, Edi Rama, pavarësisht notave të ashpra kundrejt qeverisë dhe premtimit për të vazhduar protestat ka hedhur një hap përpara në zgjidhjen e ngërçin politik. “Dialog po, menjëherë. Qëndrim në vend jo, asnjë moment. Zgjidhje përmes dialogut po, menjëherë. Zvarritje me justifikimin se po kërkohet një zgjidhje jo sot, jo nesër, asnjë moment”, - tha Rama dje në një konferencë të posaçme për shtyp. Ndryshe nga herë të tjera kur dialogun e ka kushtëzuar që në nisje me premtimin e hapjes së kutive, këtë radhë nuk vuri kushte, por shtoi se “e ftoj Sali Berishën ta lexojë drejt këtë sinjal të fortë shqetësimi, por edhe sugjerimet konkrete që vijnë përmes këtij sinjali, që vijnë nga Këshilli i Evropës dhe t’i japë fund bojkotit të opozitës, duke i dhënë popullit opozitar të drejtën të shohë gjithçka ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara dhe gjithçka gjendet në kutitë e mbyllura të 28 qershorit, mu aty në Parlamentin e Shqipërisë përmes atij mekanizmi kushtetues që e garanton këtë; komisionit hetimor parlamentar, pa asnjë kushtëzim që kufizon liri e të drejta kushtetuese që janë për ne të panegociueshme”. Kështu ka lënë sërish mundësinë për ta riparë këtë gatishmëri për dialog, pasi bëhet fjalë për një çështje ku mazhoranca nuk lëshon, duke e cilësuar shkelje të vendimeve të organeve të drejtësisë rihapjen e kutive. Ndërkaq Rama duket se është zbutur më në fund nga reagimet e faktorit ndërkombëtar dhe në këtë aspekt ai tha se “kemi mirëpritur e mirëpresim, me mirënjohje, çdo asistencë ndërkombëtare në këtë drejtim, ngado që të vijë, BE, KE, OSBE, vende mike apo të gjithë bashkë qoftë”.