E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori rus: S’kemi dijeni për armë shqiptare në Gjeorgji

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Prishchepov, u shpreh ditën e djeshme se vendi i tij nuk ka dijeni që armë shqiptare të jenë shitur nga shteti shqiptar në Gjeorgji. Në një konferencë për shtyp, ambasadori Prishchepov u shpreh se Rusia nuk ka akuzuar Shqipërinë për shitje armësh në Gjeorgji. “Nuk kam dijeni për këtë. E kam dëgjuar nga mediat në Shqipëri. Shqipëria mund të jetë përmendur në një listë të vendeve që i kanë shitur armë Gjeorgjisë, por nuk shoh asgjë të keqe tek fakti që Shqipëria mund t'i shesë armë Gjeorgjisë, përndryshe ne do të kishim marrë veprime në rrugë diplomatike”, - tha ambasadori Prishchepov. Gjatë kësaj konference për shtyp, ambasadori rus këmbënguli në faktin se marrëdhëniet shqiptaro-ruse nuk duhet të cenohen si rezultat i situatës në Gjeorgji. Ai u shpreh se ka kërkuar takim me Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha në lidhje me marrëdhëniet dy paleshe. Ambasadori rus pyet edhe në lidhje me çështjen e Kosovës si dhe njohjen e pavarësisë së dy rajoneve Abkhazisë dhe Osetisë Jugore nga ana e Rusisë. Pyetjes se pse Rusia nuk njeh pavarësinë e Kosovës në një kohë kur ka njohur pavarësinë e dy rajoneve në Gjeorgji, ambasadori Prishchepov, iu përgjigj me ironi. “A nuk e keni thënë ju vetë që Kosova është rast unik, apo jo?”, - u shpreh ai. Ky ishte komenti i tij i vetëm për çështjen e Kosovës duke mos dashur të japë më shumë shpjegime. Në konferencën e djeshme për shtyp, ambasadori rus shprehu shqetësimin e vendit të tij, për sa i përket mënyrës se si po paraqitet situata në Gjeorgji. Ai tha se Rusia nuk është një vend agresor, por mediat perëndimore kërkojnë ta paraqesin si të tillë. “Shtrembërimet” në media, sipas zotit Prishchepov, kanë dy shkaqe: “Për shkak të largësisë së këtij rajoni” dhe punës së “kompanisë së mashtrimit që ka shpërthyer nga Presidenti i Gjeorgjisë, Shakashvili. Rusia e mori këtë hap aspak të lehtë duke qenë e vetëdijshme për domosdoshmërinë e mbrojtjes së jetëve të njerëzve në këto dy republika të vogla para agresionit të Tbilisit”, - tha ambasadori rus. Ai akuzoi autoritet gjeorgjiane se kanë thyer autonominë e dy rajoneve. “Konflikti ka nisur në vitin 1992, kur Gjeorgjia u hoqi dy krahinave të saj autonominë. Atë vit në Osetinë Jugore dhe në vitin 1994 në Abkhazi u vendosën trupat paqeruajtëse ruse. Perspektivat për paqe u prishën pas ardhjes në pushtet të Shaakashvilit, në vitin 2003. E dimë që në etapa të caktuara tutorët e huaj u përpoqën ta frenonin M. Shaakashvilin nga aventura të çmendura ushtarake, mirëpo u duk qartë që ai doli nga kontrolli”, - akuzoi ambasadori rus. Media pyeti ambasadorin se pse Gjeorgjia nuk u lejua nga Rusia ta trajtonte mosmarrëveshjen me një krahinë separatiste të saj, Osetinë e Jugut, ashtu si Rusia trajtoi çështjen e saj me Çeçeninë. Ndaj kësaj pyetjeje, ambasadori rus u përgjigj duke thënë se “rasti i Çeçenisë me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë është i ndryshëm. Rusia nuk ia ka hequr asaj statusin e autonomisë”. Në të njëjtën ditë me deklaratën e ambasadorit rus në Tiranë Aleksandër Prishchepov, pothuaj të gjithë ambasadorët rusë në Evropë dhe ambasadori rus në NATO, kanë dalë në konferenca për shtyp ku kanë akuzuar median perëndimore mbi mbulimin fals, sipas tyre, të situatës në Gjeorgji. Njëzëri të gjithë ambasadorët rusë kanë thënë se Rusia nuk është një vend agresor, por lufton për paqen dhe sigurinë.

Majko: Shqipëria nuk i ka shitur armë Gjeorgjisë

Ish-kryeministri socialist, njëkohësisht ish-ministër Mbrojtjeje, Pandeli Majko, hodhi poshtë zërat se Shqipëria i ka shitur armë Gjeorgjisë. Ai u shpreh dje se shteti shqiptar, pavarësisht kërkesave të Gjeorgjisë për të blerë armë, nuk i ka shitur armë Gjeorgjisë. Sipas Majkos, kjo është bërë për faktin se Shqipëria nuk donte të përkeqësonte situatën, kur bëhej fjalë për interesin e Kosovës. “Nuk donim t’i jepnim edhe një shkas Rusisë”, - u shpreh Majko. Ai shtoi se shteti shqiptar nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për shitje armësh në Gjeorgji. “Arsyeja ishte e thjeshtë. Ne kishim interesin e Kosovës, ndërsa Rusia atë të Serbisë. Nuk donim që Shqipëria të ndërmerrte asnjë lloj hapi që mund të rezultonte i gabuar. Kishte kërkesa nga Gjeorgjia, por ne kemi pasur marrëveshje për të furnizuar Irakun, Afganistanin, etj por në Gjeorgji nuk e kemi bërë për shkakun e Kosovës”, - tha Majko. Në deklaratën e tij, Majko u shpreh se akuza për shitje armësh në Gjeorgji është absurde, në një kohë, sipas tij, kur Rusia duhet të japë shpjegime në rast se ka pasur ose jo trupa ruse në Kosovë përkrah atyre serbe. “Për sa i përket historisë së furnizimit nga Shqipëria të Gjeorgjisë, do të ishte mirë që Rusia t’i përgjigjej qartazi një pyetjeje: “A ka pasur rusë që luftuan me Serbinë?” Dhe këtu nuk flas për armë, por për trupa ushtarake e vullnetare”, - tha Majko.

Mustafaj: Kosova duhet të nxitojë në hapjen e ambasadave

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, deklaroi se shteti i ri kosovar duhet të nxitojë në hapjen e ambasadave në vendet që e kanë njohur si shtet sovran. Ai u shpreh dje se tashmë ka gjashtë muaj që shteti kosovar ka shpallur pavarësinë, ndërkohë që ende nuk ka hapur ambasadat në vendet e mëdha perëndimore që e kanë njohur. Sipas tij, Kosova është vonuar në këtë hap të rëndësishëm, në një kohë kur interesi parësor i Kosovës është njohja sa më e gjerë e saj. “Tashmë ka gjashtë muaj që Kosova ka shpallur pavarësinë dhe ende nuk ka hapur ambasadat në vendet e mëdha që e kanë njohur, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca etj. Mendoj se në këtë pikë ka pasur vonesë”, - tha Mustafaj. Më tej ai shtoi se Kosova duhet të rrisë përpjekjet diplomatike edhe për anëtarësimin e saj në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare si ato financiare apo organizatat e tjera monitoruese. Këtë deklaratë, ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Besnik Mustafaj, e bëri gjatë një ceremonie ku u ndanë diploma për studentët kosovarë në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›