Kryeministri islandez, homazhe tek “Dëshmorët e Kombit”
Kryeministri i Islandës, Geir H.Haarde, sheh nga afër mrekullitë e Muzeut Arkeologjik dhe amfiteatrin e qytetit bregdetar të Durrësit dhe bën homazhe tek “Dëshmorët e Kombit”. Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri, z.Haarde vizitoi qytetin e Durrësit i shoqëruar edhe nga ministri i Turizmit, Ylli Pango, dhe nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Haarde pa nga afër mrekullitë e Muzeut Arkeologjik dhe amfiteatrin e qytetit bregdetar, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Duke folur para kamerave, Haarde është treguar shumë i kënaqur dhe e ka quajtur konstruktive vizitën e tij në Shqipëri. Nga ana tjetër, ministri Pango ka theksuar edhe një herë bumin që po ndodh në turizmin e vendit tonë. Ministri Pango ka parë nga afër situatën kritike në të cilën ndodhet Muzeu Arkeologjik, duke folur më nga afër me punonjësit dhe duke u kërkuar njëkohësisht ndërrimin e tapetit në hyrje të muzeut. Për momentin, situata në muze paraqitet jo fort e mirë, duke vënë në rrezik një strukturë që mbetet krenaria e vendit për vlerat që mbart. Po dje, Kryeministri i Islandës bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në “Varrezat e Dëshmorëve të Kombit”. Kryeministri islandez, gjatë vizitës së tij dyditore në Tiranë, u takua dhe zhvilloi bisedime me Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Në homazhet e zhvilluara dje paradite z.Haarde shoqërohej nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi.